'S'kemi ligj dekomunistizimi, Rama hoqi nga puna ish-të përndjekur politikë'

Indrit Hoxha, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, akuzoi nga emisioni “Arnautistan” në MCN TV se qeveria Rama duke filluar që nga 2013-ta, ka pushuar nga puna njerëz nga shtresa e ish-të përndjekurve.

Sipas tij, 30 vite politika e majtë apo e djathtë ka shumë gabime ndaj të përndjekurve dhe si rezultat sot nuk ka asnjë përkujtimore për ish- të përndjekurit.

“Edhe 30 vite pas komunizmit bëhen rreshtime sepse e gjithë politika e majtë apo e djathtë ka shumë gabime ndaj të përndjekurve. Nuk kemi një ligj dekomunistizimi. PD ka miratuar në 2006-ën kërkoi një rezolutë për të dënuar krimet e komunizmit, PS e ka kundërshtuar me pretendimin se nuk mund të dënoheshin 30 vite pas komunizmit. Në Shqipëri askush që bëri krime nuk u dënua. Faji kryesor bie mbi PD sepse tek PS nuk kam asnjë shpresë. Ne kemi kaluar një nga sistemet më të egra dhe sot nuk kemi një obelisk për t'i kujtuar këto njerëz, nuk ka qenë në vëmendje kjo lloj shtrese. Nga 2013-ta kanë hequr nga puna ish të përndjekur politikë, por që janë dhe pjesë të PD”, tha Hoxha.