VIDEO-SYRI TV/ Reagime për formularin ‘Prindi 1’, ‘Prindi 2’, bashkia: Nuk e përdorim

Formulari që pretendohet se është shpërndarë për fëmijët në çerdhe e kopshte, ku fjalët mamaja dhe babai janë zëvendësuar me fjalët 'Prindi 1' dhe 'Prindi 2', është përhapur në rrjetet sociale, duke ngjallur reagime të shumta. Bashkia e Tiranës ka nënvizuar se formulari në fjalë nuk është përdorur nga ky institucion, ndërsa Aleanca LGBT është shprehur se nuk ka asnjë informacion lidhur me formularin.

Nga SYRI TV

Një formular ku fjalët mamaja dhe babai janë futur në kllapa, për t’u zëvendësuar me fjalët 'Prindi 1' dhe 'Prindi 2', është denoncuar se është shpërndarë për fëmijët në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës, ndërsa është përhapur edhe në rrjetet sociale, duke ngjallur reagime të shumta.

Ka qenë Pastori Akil Pano ai që e publikoi së pari këtë formular, duke i bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Arsimore, Drejtorive të Shkollave dhe Institucioneve të Edukimit Parashkollor që ta tërheqin menjëherë nga përdorimi, pasi sipas tij, është në shkelje me ligjin dhe kodin e familjes.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar Bashkia e Tiranës, duke nënvizuar se Formulari qe qarkullon ne media nuk është ai qe përdoret nga Bashkia, dhe duke vënë në dispozicion formularin zyrtar që mban vulën e bashkisë, i cili përdoret për regjistrimin e fëmijëve ne çerdhe dhe kopshte.

Nga ana tjetër ka pasur pretendime të shumta se formulari me këtë përmbajtje mund të jetë përhapur edhe nga Aleanca LGBT, por janë hedhur poshtë prej tyre, duke u cilësuar si të pavërteta.

‘Ne nuk kemi asnjë informacion lidhur me formularin që pretendohet se është shpërndarë në kopshte të Tiranës, ku amësia dhe atësia përcaktohen mes opsioneve prindi 1 dhe 2. Ne si organizata ndajmë të njëjtin kuriozitet për të ditur çfarë përmban ai formular, kush e ka hartuar, kur është shpërndarë dhe çfarë të dhënash synon të mbledhë. Nuk e dimë nëse këtë informacion duhet të na e vendosin në dispozicion priftërinjtë apo mediat në funksion të tyre. Kërkojmë nga media dhe gazetarët të distancohen nga kjo praktikë e papranueshme dhe të luajnë rolin e tyre investigues e informues’.

Ndërsa në optikën e psikologes Marsela Lekli, ky formular nëse është i vërtetë, përmban disa shkelje ligjore. Ajo shprehet se fillimisht duhen ndjekur hapat për të dëshmuar vërtetësinë e këtij formulari që ngjall shumë pikëpyetje. 

Kujtojmë se vetëm pak muaj më parë, komuniteti LGBT kërkoi që fjalët ‘nënë’ dhe ‘baba’ të zëvendësoheshin me ‘prindi 1’ dhe ‘prindi 2’, një kërkesë kjo e cila ngjalli debate sa i takon përdorimit të këtyre termave, por dhe qasjes ligjore, diskriminimit dhe të drejtave të njeriut.