VIDEO-SYRI TV/ Lule mbi varrin e ekstremistit Kacifas, Vangjel Dule akuza prokurorisë shqiptare

Festa kombëtare e Greqisë, ‘Jo’,  është përkujtuar këtë të premte edhe në Shqipëri. Dhjetëra qytetarë minoritarë grekë dhe të ardhur nga vendi fqinj, u mblodhën fillimisht në një ceremoni përkujtimore në varrezat e ushtarëve në Këlcyrë dhe Bularat.

Të pranishëm pranë memorialit të ushtareve të rënë në Shqipëri gjatë luftës, italo- greke, ishin edhe ambasadorja Sofia Filipidu dhe Zëvendësministri i Jashtëm grek Andresa Kasanjotis, si dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.

Homazhet u zhvilluan fillimisht në Këlcyrë e më pas në Bularat, ku u vendosën kurora me lule edhe pranë varrit të ekstremistit minoritar Kostandin Kacifas, i cili vrau veten gjatë përplasjes me armë me forcat RENEA.

Por për kreun e PBDNJ, Vangjel Dule prokuroria nuk po thotë të vërtetë lidhur me këtë ngjarje, pasi sipas tij ka devijuar hetimet.

 ‘Prej ditës tragjike jam shprehur dhe vazhdoj të shprehem: është vetëm e vërteta ajo që shëron dhe e vërteta nuk na është treguar. Çdo truk që përdoret nga prokuroria apo media nuk ka asnjë fakt të se vërtetës. Prokuroria thotë u vetëvra ndërsa policia ditën e ngjarjes thotë u vra. Kë të besojmë?’, deklaroi Dule

Ceremonia e përvitshme e njohur me emrin Festa e ‘Jo’-së organizohet çdo 28 tetor për të përkujtuar ditën kur Greqia kundërshtoi ultimatumin e Italisë për të hyrë pa rezistencë në tokën greke nëpërmjet kufirit shqiptar.