‘Po nisni Luftën e Tretë Botërore'/ Vetingu dhe gjoba 1 mln euro në ditë për Poloninë

Një nga gjykatat e larta të Bashkimit Europian ka marrë një vendim që ka bërë shumë bujë.

Kur dihet se prej kohësh, Polonia është në një kurs përplasjeje me Brukselin, Gjykata Europiane e Drejtësisë ka marrë vendim për të gjobitur Poloninë me 1 milionë euro çdo ditë.

Në qendër të këtij vendimi është një ‘dhomë disiplinore’, një strukturë që duhet të bëjë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Poloni. Por Bashkimi Europian thotë se kjo strukturë vetingu nuk është në përputhje me rregullat e BE-së për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit.

Polonia e çoi në një shkallë më të lartë këtë përplasje. Këtë muaj, Gjykata Kushtetuese e Polonisë mori një vendim bombastik. Sipas saj, ligjet e BE-së nuk kanë përparësi ndaj ligjeve të vendit. Kjo bëri që mediat, ekspertët dhe politikanët të flasin për mundësinë që Polonia të braktisë Bashkimin Europian.

Vendimi i sotëm për gjobën prej 1 milionë euro në ditë do e tensionojë akoma më shumë situatën.

Një faktor shumë i rëndësishëm në përplasjen mes BE-së dhe Polonisë është një fond prej 57 miliardë eurosh që Brukseli duhet t’ia japë Varshavës si pjesë e ndihmës për rimëkëmbjen nga pandemia.

Brukseli thotë se nuk do i japë fondet pa u zgjidhur çështja e gjyqësorit. Kurse kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki ka kërcënuar në fillim të kësaj jave se nëse Bashkimi Europian do të mbajë paratë e Polonisë, 'rrezikohet të shpërthejë një Luftë e Tretë Botërore'.