Noka-Bashës: Nga frëgjia e bunkerit tënd sulmon vetëm Berishën dhe 'Foltoren', jo Ramën

Deputeti Flamur Noka ka debatuar sërish me kryetarin e PD Lulzim Basha, sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar në selinë blu.  

Syri.net mëson se Noka ka akuzuar Bashën se po ndjek metoda bizantine në PD, ndërsa ka thënë gjithashtu se Basha sulmon Berishën dhe 'Foltoren', por jo Edi Ramën.

"Frëngjia e bunkerit tënd sulmon vetëm Berishën e 'Foltoren' dhe jo Ramën. Përjashtimet janë bërë kundër statutit. Nga Demokratike po e kthen në bizantinizëm partinë", është shprehur Flamur Noka. 

Deputeti Flamur Noka u shkarkua nga nënkryetar i Komisionit të Sigurisë me vendim të Lulzim Bashës, ndërsa u paralajmërua me përjashtim nga grupi parlamentar demokrat, për shkak të qëndrimeve kritike. 

Pjesë e debateve sot në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat u bë edhe Tomor Alizoti, kryesuesi i listës së deputetëve në Qarkun e Beratit. Alizoti tha se PD ndodhet në krizë të rëndë dhe se kjo krizë duhet zgjidhur, përpara se të parashtrohen diskutime të tjera në mbledhje.

"PD ndodhet në krizë të thellë. Nuk mund të bëjmë sikur s'e shohim. Ne na ka kushtuar mosqenia në Foltore, se demokratët janë të revoltuar me ne. Duhet zgjidhur kjo krizë. Partia po vuan. Pa u zgjidhur kjo krizë çdo diskutim tjetër s'ka vlerë", tha Alizoti.