VIDEO/ Dëshmia II e kolapsit: KLGJ firmos përgjysmimin e gjykatave, kur ka 40 mijë dosje në pritje!

Një tjetër dëshmi e fortë e absurdit në sistemin e drejtësisë është dhënë sot nga avokati Kujtim Cakrani, krahas koleges së tij av. Ankelita Çelës, në studion e Kafe Shqeto në SYRI TV.

Z. Cakrani ngriti shqetësimin e përgjysmimit të gjykatave në vend, një shkatërrim i vërtetë i sistemit të drejtësisë sipas tij: “Tani do t’i japin dorën e fundit të shkatërrimit, sepse e imagjinoni që sot në Gjykatën e Lartë janë 40 mijë dosje që presin për gjykim?!” – tha ai.

“Është bërë një hartë e re nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ia kanë propozuar Ministrisë së Drejtësisë, që natyrisht e ka miratuar atë. Tani pritet që ajo të kalojë në parlament, që do të thotë se nga 22 gjykata të shkallëve të para që janë aktualisht në Shqipëri, do të ngelen vetëm 12!!!  

Pra, në 12 qarqe nga një gjykatë e Shkallës së Parë dhe, nga gjashtë gjykata të Apelit do të ngelen vetëm një, gjykata që do të jetë në Tiranë.

Pra, e kuptoni tani se përveç problematikës aktuale ku gjendet drejtësia shqiptare, qytetarët shqiptarë, ato do të përballen edhe me një kosto tjetër të madhe si nga ana e qytetarëve, ashtu edhe nga ana e Buxhetit të Shtetit.

Se, të marrësh të suprimosh disa gjykata, ku dosjet janë me qindra, të mos themi dhe mijëra, dhe t’i mbledhësh ato në një gjykatë të vetme në Tiranë, ky është shkatërrimi përfundimtar i drejtësisë.

Pra, shkatërrimi ka filluar, por tani do t’i japin dorën e fundit shkatërrimit, sepse e imagjinoni ju që sot në Gjykatën e lartë janë 40 mijë dosje që presin për gjykim?!

40 mijë dosje që qytetarët kanë që në vitin 2016 që kanë bërë rekurse në Gjykatën e Lartë dhe akoma s’u ka dalë një datë gjyqi?!

Po ata që bëjnë rekurs sot ose që kanë bërë rekurs në vitin 2021, kur i bie të gjykohen dosjet e tyre?!” – analizoi fare thjesht e qartë, avokati i njohur./ar.sh/SYRI.NET