Makina e ekzekutorëve me targa të Kosovës, 15 të shoqëruar pas vrasjes në Fier

Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi i Demir Backës mbrëmjen e djeshme në Fier, i cili u qëllua për vdekje në afërsi të ish-QTU nga persona ende të paidentifikuar.

Mësohet se 15 persona janë shoqëruar në polici për ngjarjen e mbrëmshme, mes të cilëve ka edhe persona me precedentë penalë, ndërsa disa prej tyre kanë patur edhe konflikte të mëhershme me viktimën.

Backa u qëllua me 17 plumba, por pavarësisht se u dërgua menjëherë drejt spitalit, nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët dyshohet të kenë qenë 5 persona, 3 prej të cilëve kanë qëlluar dhe 2 të tjerë që i kanë ndihmuar të largohen nga vendngjarja.

Ndërkohë Syri Tv dhe Syri.net kanë mësuar se makina e djegur me të cilën u krye atentati ndaj Demir Backës ka qenë me targa të Kosovës.

Gjithashtu mësohet se po verifikohet nëse janë reale apo fallco dhe nëse janë reale, kur ka hyrë ky automjet në Shqiperi dhe në pronësi të kujt është.