Interesim i jashtëzakonshëm për derbin, ja sa bileta janë shitur deri tani

Ndonëse disa ditë larg, atmosfera e derbit ndjehet jo pak në kryeqytet dhe kjo konfirmohet më së miri nga ecuria e shitjes së biletave për në stadiumin “Air Albania”.

Sipas Supersport, deri mbrëmjen e të mërkurës janë shitur rreth 6000 bileta, ndërsa zbulohet se edhe në sektorin e dedikuar për tifozët e Partizanit, janë shitur më shumë se gjysma e biletave të vëna në dispozicion.

Kapaciteti i “Air Albanias” është 22 mijë vende, megjithatë rregullat në kushtet e pandemisë parashikojnë hapjen e stadiumit deri në masën 30%.

Gjithsesi nisur nga interesi i lartë, drejtuesit e klubit bardheblu po negociojnë me institucionet shëndetësore për një hapje më të madhe, apo pse jo edhe hapje të plotë me qëllim që “Air Albania” të mbushet sërish si në derbin e fundit të luajtur me tifozë, atë të 28 shkurtit të 2019-ës.