Shqiptarit i kapen 40 kg mish në bagazhe, ishte nisur nga Tirana

Agjencia e Doganave dhe Guardia di Finanza i kanë bllokuar një qytetari shqiptar në aeroportin Galilei në Piza 40 kilogramë mish.

Sasia e mishit u gjet gjatë kontrollit të bagazheve të pasagjerëve nga jashtë Bashkimit Evropian. Qytetari shqiptar kishte fluturuar drejt Pizës nga Tirana.

Sipas normave në fuqi, importimi i paautorizuar i produkteve me origjinë shtazore mund të bëhet burim sëmundjesh infektive, sidomos kur bëhet fjalë për mish e nënprodukte të tij, si dhe qumështi e nënproduktet.

Që nga fillimi i këtij viti, në Itali janë sekuestruar 562.5 kg mish e nënprodukte, dhe 413.2 kg bulmet, të gjitha nga vendet ballkanike dhe në gjendje të keqe konservimi.