Zgjedhjet në Kosovë/ Surprizon Gjilani, Vetëvendosje kryeson vetëm në 4 Komuna

Vijon procesi i numërimit të votave për zgjedhjet lokale në Kosovë. Edhe pse janë ende pak vota të numëruara shihen rezultate interesante dhe befasuese njëkohësisht.

Kështu “Vetëvendosje” e Albin Kurtit prin në komunën e Prishtinës me kandidatin e saj Arben Vitia.

Gjithsesi edhe nëse ruhet ky trend për Prishtinën, e sigurt është që kryeqyteti do të shkojë në balotazh. Deri në këto momente, kandidati i VV, Arben Vitia ka marrë 10 222 vota ose 42.7%, kundrejt 7 250 vota të kandidatit të LDK, Përpara Rama, ose 30.30%. 

Vetëvendosje prin edhe në Prizren, sipas rezultateve paraprake të procesit të numërimit. 

Kandidati i VV për Komunën e Prizrenit, Mytafer Haskuka kryeson me 12 011 vota, ose 40.52%, kundrejt Shaqir Totaj i cili ka deri tani 9 108 vota ose 30.73%. 

Rezultat surprizë është ai që vjen nga Gjilani. Kandidati i VV, Alban Hyseni kryeson me 11 493 vota ose 45.6%, përballë Lutfi Hazirit të LDK, i cili deri tani numëron 10 857 vota, ose 42.95%. Komuna e Gjilanit do të shkojë në balotazh mes Hysenit dhe Hazirit. Komuna e Gjilanit njihet si bastion i LDK-së dhe kandidatit të saj Haziri, i cili qeveris prej disa mandatesh. 

Edhe në Podujevë për momentin kryeson kandidati i partisë në pushtet, Shpejtim Bulliqi. 

Ndërkohë, rezultat surprizë ka prodhuar edhe Kamenica. Qëndron Kastrati i PSD, parti kjo e krijuar nga ndarja e Vetëvendosjes, kryeson me 3 151 vota, ose 32.37%, ndaj kandidatit të partisë së Albin Kurtit, Kadri Rahimaj i cili ka 2 943 vota, ose 30.24%. Rezultati mbetet i ngushtë. Dy kandidatët do të shkojnë në balotazh. 

Exit poll i kanë dhënë një avantazh kandidatit të Vetëvendosjes edhe në Gjilan që njihet si një bastion i Lutfi Hazirit të LDK-së. Aktualisht Haziri kryeson me vota, por janë numëruar shumë pak fletë votimi.

Vetëvendosje duket se po humbet edhe Mitrovicën e jugut ku kishte një kandidat të njohur si Agim Bahtiri.