Bundesliga/ Dortmundi shkëlqen me Haland në fushë, i merr ‘deri nesër’ kreun Bayernit

Kthimi i Erling Haland në fushë për Borusia Dortmund duket se i ka dhënë përsëri frymëmarrje kampionatit gjerman, pasi skuadra e Marco Rose sot i ka rrëmbyer vendin e parë në klasifikim Bayernit të Mynihut.

Sulmuesi norvegjez mungonte prej 3 javësh në radhët e skuadrës së tij, por sot ka treguar se është kthyer përsëri në formë të shkëlqyer.

Në ndeshjen ndaj Mainz, Reus i dha avantazhin Borusias që në minutën e 3-të, ndërsa Haland gjeti rrugën e rrjetës në pjesën e dytë me penallti.

Goli i Burkard në fund të sfidës la të mendohej se miqtë mund të bënin surprizë, por ishte përsëri Haland i cili në fund shënoi golin e rezultatit përfundimtar 3-1.

Kështu, Borusia kapërcen përkohësisht Bayern Munchenn në kreun e renditjes, por me bavarezët të cilët kanë një ndeshje më pak, të cilën do ta luajnë nesër në fushë e Bajer Leverkusen.