Berisha: Homazhe për Artjan Tepelenën! Fjala e lirë dhe mediat humbën një kalorës fisnik!

"Homazhe për Artjan Tepelenën".

Nga Sali Berisha.

Fjala e lirë dhe mediat humbën një kalorës fisnik të tyre. Gazetari i mirënjohur dhe njeri nga personalitetet dhe themeluesit e shquar të gazetarisë së lirë, ndër profesionistët më dinjitozë dhe më të aftë të fushës, Artjan Tepelena, mbylli shumë parakohë sytë, përgjithmonë.

Artjan Tepelena gjatë karrierës së tij si gazetar i talentuar drejtoi me përkushtim të veçantë dhe sukses të plotë, rrjetet kryesore radio-televizive kombëtare dhe private të vendit.

Ai mbështeti pa lëkundje zhvillimet demokratike dhe me emisionet e drejtuara prej tij dha ndihmesë të çmuar në informimin me transparencë dhe vërtetësi të publikut shqiptar në tërësi por edhe në zbulimin dhe denoncimin e krimeve të diktaturës komuniste.

Artjan Tepelena ishte gjithashtu një qytetar, bashkëshort dhe prind shembullor dhe një mik i dashur e i çmuar për virtutet e tij të spikatura për të gjithë ata që kanë pasur fatin të gëzojnë miqësinë e tij.

Duke shprehur mirënjohjen më të thellë për kontributin e tij të çmuar, i shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve e të afërmve për Artjanin e tyre të dashur dhe lutem së bashku me ta që shpirti i tij i mirë të gjejë paqen e merituar. Amin!