Vrau 5 vetë me shigjetë/ Autori nuk pendohet, ishte dënuar për vjedhje e drogë

Autori 37 vjeç i arrestuar për vrasjen e pesë personave dhe plagosjen e disa të tjerëve me hark e shigjetë në Kogsberg të Norvegjisë ka pranuar krimin përpara gjykatës.

Espen Anderson Brathen, 37 vjeç, një qytetar danez dhe i konvertuar në mysliman, “pranon se ka kryer veprat për të cilat akuzohet”, tha avokati i tij, Fredrick Neumann, duke shtuar se klienti i tij gjithashtu po kalonte një vlerësim të shëndetit mendor “nga mjekët dhe personeli shëndetësor. ”

Pas një seance gjyqësore të premten, masa e tij e sigurisë u zgjat ndërsa hetuesit vazhdojnë të mbledhin prova të tjera.

Pavarësisht krimit të rëndë, Brathen duket se nuk ka shfaqur shenja pendese dhe nuk ka kërkuar falje përpara gjykatës.

37-vjeçari u arrestua të mërkurën në mbrëmje pasi hyri në një supermarket në Kongsberg dhe filloi të gjuante me shigjeta nga një hark gjuetie ndaj klientëve.

Ai më pas doli me vrap nëpër rrugë, në një moment duke shmangur policinë dhe duke gjuajtur shigjeta në drejtime të shumta, duke lënë gjithsej pesë persona të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur.

Brathen ka kryer një sulm, që autoritetet norvegjeze e kanë cilësuar si terrorist. Por, nuk ka të dhëna që ai të jetë i lidhur me ndonjë celulë të terrorit.

Brathen kishte kërcënuar në një rast prindërit se do i vriste. Ndërsa, më herët ishte dënuar për vjedhje dhe drogë. Por, duket se këtë herë, 37-vjeçari nuk do shpëtojë dot nga drejtësia dhe mbyllja në qeli për të mund të jetë e përjetshme.