Mbyllet Foltorja e Korçës/ Berisha: Duhet hapje e madhe, partia të përgatitet për fraksionet

Foltorja e Korçës u mbyll ashtu siç nisi, me emocione pasi salla këndoi një këngë patriotike.

Ndërkohë lideri historik Sali Berisha deklaroi se Edi Rama rrëzohet me protesta. Ai tha se Ramën do e largojnë njësoj siç kanë bërë në vitin 1992.

Por më parë duhet të reformohet PD-ja, tha Berisha.

“Duhet hapje e madhe. Duhet të përthithim forcat, intelektualë, ekspertët më të mirë në mënyrë që qeverisja jonë të ketë përgatitjen më të mirë. Themeli është vlera demokratike brenda partisë. Do t’i japim fund kësaj situate. Se kush do jetë deputet do të vendosni ju me primare. Këto primare krijojnë raportin më të ndershëm të deputetit me zgjedhësin. Nuk do jetë kusht që kryetari i partisë të jetë kryeministër. Mjafton të heqim unin dhe të vëmë si qëllim kryesor shërbimin ndaj vendit. Dhe për kryeministrin do të vendosni ju me primare. Vendimet do të jenë kolegjiale.

Partia do të përgatitet për fraksione. PD do të jetë shtëpia e lirisë. Fraksionet kanë rregullat e tyre. Cilido le të lexojë ato ekzistojnë. Duan punë të krijohen, por rrugën e ke të hapur. Do të ndërtojmë një parti si kjo ‘Foltore”dhe më të lirë. Edi Rama nuk ikën nga pushteti nga me votat që kontrollon, as me opozitë pupël. Ai largohet vetëm me protesta të fuqishme për të këqijat që i ka bërë këtij vendi”, tha Berisha.