Haaland përçan Bayernin, Lewandowski tronditet nga...

Diskutimet e shumta për një transferim të Erling Halandit kanë turbulluar ujërat edhe në shtëpinë e Bajernit. Norvegjezi 21-vjeçar është duke shënuar pa fund dhe duke lënë gjurmë në çdo fushë që shkel. Shumë klube të mëdha janë në ndjekje të tij, ndër to dhe Bajerni i Mynihut edhe pse transferimi i tij në Mynih mund të kishte kosto të mëdha jo vetëm financiare.

 “60 gola në 60 ndeshje, duhet të jemi amator nëse nuk do ta ndiqnim këtë lojtar”, është shprehur drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç pak javë më parë.

I pari që është tronditur nga këto fjalë ishte Robert Levandovski, polaku ka kërcënuar me mos rinovim kontrate dhe me largim nga kampionët ndoshta edhe para se t’i përfundojë kontrata në 2023-shin.

Oliver Kahn dhe Hasan Salihamixhiç duket se janë pro transferimit të Haalandit në Mynih, ndërsa presidenti Hainer dhe trajneri Julian Nagelsman kundër.

Kjo ka çuar edhe në përplasje mes tyre. “TZ” shkruan se në ditët e fundit ka pasur shumë takime dhe diskutime për këtë çështje. Një çështje që është kthyer në makth për tifozët e Bajernit që gjithashtu janë të ndarë për sa i përket situatës. Të shumtë janë ata që duan qëndrimin e Levës dhe të shumtë ata që duan ardhjen e Haalandit duke e parë këtë të fundit si garanci për vitet e ardhshme.

Të dy në një skuadër? Kjo vështirë se mund të ndodhë. Bajerni nuk ka luksin për të përmbushur kërkesat financiare të Levës dhe norvegjezit në një kohë. Polaku fiton më shumë se 20 milion euro në sezon. Ndërsa Haland fiton gati 15 milion euro në vit, një shifër e cila është e predispozuar për t’u rritur në sezonin tjetër.