Koka: Rama e ftoi Bashën në bashkëqeverisje, ishin në koherencë kur sulmonin 'Foltoren'

Gazetari Bledian Koka zbërthen kontekstin e replikave Rama-Basha sot në Kuvend, nga ftesa e kryeministrit për bashkëqeverisje me liderin e opozitës, e deri te koherenca mes të dyve për të sulmuar 'Foltoren' e ish-kryeministrit Sali Berisha. 

I ftuar në edicionin e orës 19:00 në Syri Tv me Juli Kristafi, gazetari Koka tha se Rama iu drejtua Bashës me ofertë për të qeverisur së bashku, por që kryetari i PD nuk pati asnjë reagim, duke shtuar se kryeministri është i sigurt se një ditë do ta ketë Bashën partner në qeveri.

"Vetëm debat nuk kishte sot në Kuvend, por një masakrim të Ramës ndaj Bashës. Kur Rama nuk ishte në Kuvend, Basha iu hakërrye Nikollës, sot e kishte me Shalsin me një gjuhë shproporcionale, sepse nuk pashë ndonjë provokim të madh që Basha ta bënte atë. Është i kuptueshëm tensioni politik, por mu duk krejt e sforcuar dhe pashtë pastaj një squkërim të Bashës sapo përballë i erdhi Rama i cili pastaj teknikisht në xhambazllëkun e fjalës që duhet t'ia njohim Ramës, e çmontoi Bashën, duke i lënë edhe një ofertë të fundit për të cilën z.Basha nuk fol, që ishte: "Lulzim je miku im, bëhu origjinal sepse kopja është e shëmtuar". Dhe vetëm kur të bëhesh origjinal i tha Rama, Bashës, ti mund të bashkëqeverisësh me mua. Pra për zotin Rama është e sigurt se Basha do të qeverisë me të, por edhe për këtë turp politik, nëse do të ndodhë, sërish ai ka kushtet e vete, pra Rama. Ai nuk do një Lulzim të shpërfytyuar, por do një Bashë të moderuar sepse ashtu i duhet. 

Dhe pas këtij fjalimi nuk patëm një reagim të Bashës, apo një përgenjështrim, të paktën një nga ato 'kurrët' që i ka përdorur pa doganë deri në 25 prill, për ta refuzuar këtë provokim të radhës, të hapur, publik që i bëri Rama mu në mes të Parlamentit. 

E vetmja gjë që kishte sot, ishte një lloj koherence mes Bashës dhe Ramës për të sulmuar në mënyrën e tyre 'Foltoren'. Z.Rama me logjikën e vet politike antagoniste me 'Foltoren' dhe nga ana tjetër z.Basha me frustracionin e madh që mesa duket kjo nismë e Berishës i ka krijuar në atë që quhet tashmë partia e tij që buron përmes vulës dhe përtej asgjëje tjetër sot. Basha s'ka sot asnjë lidhje me PD-në, përveç vulës të cilën siç edhe thonë, e merr çdo natë në shtëpi kur ikën nga selia e PD", u shpreh Koka.  

Akuzat e Bashës ndaj atyre që ai i quan 'llum' të qeverisjes së kaluar të PD, Koka i quan të pavend dhe vuri në dyshim vërtetësinë e tyre, duke shtuar se Basha është 'bashkëpunëtor në krim' sa kohë nuk ka folur në momentin e duhur, por vetëm tani. 

"Zoti Basha me të vetën bëri disa akuza serioze sot. Nëse janë të vërteta, atëherë z.Basha është bashkëpunëtor në krim, nëse ato që ka thënë janë të vërteta. Pra që ka njerëz në PD që kanë hapur gropa, pastrojnë para dhe të cilët marrin benefite nga qeveria e Ramës. Nëse Basha i ka ditur këto gjëra dhe i ka mbajtur të fshehura, është minimalisht bashkëpunëtor në krim. Por në të gjithë atë panoramim që bëri Basha të njerëzve, të llumit brenda PD, identikti i vetëm i atij apo atyre politikanëve që pashë në fjalët e z.Basha, është vetë z.Basha", tha Koka.