Braho: Harta gjyqësore reformë e nisur më herët, do ketë efekt pozitiv

Juristi Ledio Braho në Edicionin e Pasditen në një intervistë me moderatoren Armela Ferko në Syri Tv, foli për atë që po ndodh me gjykatat në vendin tonë.

Braho thekson se harta gjyqësore është një reformë në sistemin gjyqësor që ka kohë që ka nisur, duke shtuar se do kishte efekt pozitiv.

“Harta gjyqësore është një reformë që është bërë edhe më parë në Shqipëri. Kjo është bërë edhe në vende të tjera si Italia e Belgjika. Belgjika që ka thuajse 12 milionë banorë, ka më pak gjykata se Shqipëria. Harta gjyqësore do ketë efekt pozitiv. Kështu mendoj, sidomos sa i përket gjykatave të Apelit. Sot Gjykatat e Apelit janë me numër minimal gjyqtarësh, Apeli në Tiranë ka 6 gjyqtarë dhe jo 30.

Sot në Apel bëhen vetëm çështje penale e jo administrative. Bashkimi në një gjykatë për Apel do të lehtësojë gjykimin e çështjeve. Sot gjyqtarët e Apelit lëvizin nga një gjykatë në tjetrën, se nuk ka gjyqtarë. Harta gjyqësore nuk ka të bëjë me vettingun, është proces që ka nisur më parë, ka të bëjë me dixhitalizimin e gjykateve, infrastrukturën, ul edhe koston për sistemin gjyqësor”, u shpreh Braho.