Tabaku në Kuvend: Akti Normativ nuk është për vaksinat, por për PPP-të dhe oligarkët!

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka sulmuar qeverinë sot në Kuvend për veprimet më të fundit ekonomiko-financiare që ka ndërmarrë, borxhin që vendi dhe drejtimin që po iu jepet miliona eurove në destinacione të habitshme: "Sa herë duhen vendime për qytetarët, votojmë me të dyja duart pro, edhe për vaksinimin. Në qoftë se duhet edhe për rindërtimin me gjithë kontratat abuzive dhe korruptive që janë duke firmosur çdo ditë, por, nuk mund ta kthejmë Parlamentin në një noter të çdo ndryshimi buxhetor që këto duan të bëjnë." 

"Në 8 vite në fakt sa herë kam ardhur këtu në Parlament jam përpjekur të flas me fakte, me shifra, me argumente, pa ofenduar askënd. Por leksione qytetarie nga këta që ofendojnë nga mëngjesi në darkë, unë nuk besoj se pret askush nga ana jonë., - tha Tabaku. - Sa herë kemi ardhur në këtë parlament, çdo ditë në çdo vendim që kanë marrë, në çdo ligj që kanë sjellë, çdo ditë e më shumë kanë futur duart në xhepin e qytetarëve. E parlamenti voton symbyllazi, nuk bën asnjë ndryshim, nuk shohin çfarë i sjellin.
 
“Po votoni kundër vaksinimit”, tha. - Po çfarë ka sot rritja e borxhit me 110 milionë euro?! Ka 1 milionë për vaksinat. Ka për Teatrin Kombëtar. Janë duke sfiduar edhe Gjykatën Kushtetuese duke i dhënë fonde Bashkisë së Tiranës për Teatrin Kombëtar. Janë duke kaluar fonde për mirëmbajtje për AKSH-in. Janë duke kaluar fonde për dronët. Të gjitha të parashikueshme.

Ia kam thënë komisionit edhe këtu në seancë, nga mëngjesi deri në darkë, e mbledhim parlamentin sa herë duhen vendime për qytetarët, votojmë me të dyja duart pro edhe për vaksinimin, në qoftë se duhet edhe për rindërtimin me gjithë kontratat abuzive dhe korruptive që janë duke firmosur çdo ditë.  Por, nuk mund ta kthejmë Parlamentin në një noter të çdo ndryshimi buxhetor që këto duan të bëjnë. 

38 akte normative, ndryshime kanë bërë vitin e kaluar, tha këshilltari i presidentit, 28 këtë vit.

Çfarë është kjo?! Është paaftësi?! Është arrogancë?! Që jo vetëm buxhetin por edhe Kushtetutën e kanë kthyer në një fletore bakalli që na mbledhin ne këtu sa herë zgjohen me idenë për të ndryshuar diçka.

Por unë nuk e di që ka qeveri që 4 herë brenda vitit të ndryshojë buxhetin?! Nuk e di a qeveri që në fillim të vitit 2021 këtë vit ne do të vaksinojmë?! Është minimumi i përgjegjësisë zyrtare. Është minimumi i përgjegjësisë përpara qytetarëve dhe pastaj vijnë na shesin ne fonde për rindërtimin e fonde për tërmetin.

“Do të marrim borxh për të ulur borxhin”, tha ministrja e Financave sot.  Nuk e di nëse e dëgjuat apo jo?! Por sesi mund të merret borxh, e pranojnë vetë në këtë dokument, “duke çuar në 80% nivelin e borxhit publik, për ta ulur në 45%”, tha po ministrja e Financave sot. Se po t’i dëgjosh të flasin nga fillimi në fund, flasin dy gënjeshtra brenda të njëjtës fjali, dy kundërthënie.

Është njësoj si fjalia që u tha pak vite më parë “koncensionarët nuk i paguajnë qytetarët shqiptarë, nuk i paguan buxheti shqiptar.”, tha ky që foli tani para meje.  

I gjithë akti normativ për ndryshimin e buxhetit ka një gjë në thelb, janë fonde që u përdorën për fushatën elektorale, parapagesa për kompanitë, qoftë për Unazën e Tiranës, qoftë për projekte të tjera që kanë tenderuar vetë që thjesht i formalizuan, i futën në një akt normativ; hajt se i miraton parlamenti. Këtë detyrë ka parlamenti, të mbyllë sytë dhe të ngrejë dorën sa herë që duan këto. 

Ndërkohë, na flasin ne këtu për ide, për mendime, për programe. Unë nuk kam parë të diskutohet nga ana e qeverisë, por edhe kur u diskutua qoftë edhe programi i qeverisë: Ore një vizion ku po shkon ekonomia? Çfarë po ndodh me tregun? Një ide programore edhe për një fushë më të thjeshtën, fundja për bujqësinë, biem të gjithë dakord apo për integrimin europian, hajt se po e votojmë edhe ne. Po një herë të vetme të mos vijnë këtu me një ide, të mos vijnë këtu me një propozim për njerëzit; por sa herë që e mbledhin këtë parlament, sa herë kur kalojnë edhe 1 milionë për vaksinat do të kalojnë 110 milionë për kontratat e tyre. 
 
Unë nuk besoj se ndodh në asnjë parlament tjetër të botës me të cilin ne mund të krahasohemi. 
 
“Sot bizneset e ndershme paguajnë dy kosto”-iu tha dje ministres së Financave; paguajnë koston e taksave por njëkohësisht edhe koston e ekonomisë gri, ekonomisë së zezë. Sot talentet po largohen. Sot Shqipëria po varfërohet çdo ditë e më shumë dhe këtë nuk e them unë e thotë çdo raport. 
 
“75%”- tha kryeministri “janë rritur importet krahasuar me vitin e kaluar”. 15% janë ulur importet.

Çdo shifër që vijnë e thonë këtu, e kanë të gënjeshtërt. Çdo gjë është në funksion të propagandës dhe nuk dëgjojmë asnjëherë të na thonë, po e pranojmë këtë gabim. Nuk e besoj dot se si mundet që të kemi një mohim të tillë të realitetit. Se si mundet që borxhi publik që ka shkuar në 80% dhe bashkë me PPP-të po shkon në 95% të konsiderohet si “meritë” sepse po e “rrinin të gjithë vendet e tjera”, po, po e rrisin vendet e tjera por në shërbim të ekonomisë, në shërbim të qytetarëve, jo në shërbim të kontratave korruptive.
 
Mqse sot u diskutua këtu gjatë deklarata e FMN-së e pak ditëve më parë. Dy elementë tha FMN-ja. Nuk ka të dhëna të sakta për ekspozimin e qeverisë për risqet. Garancitë të cilat merren për kompanitë e sektorit publik, për Ujësjellës – Kanalizimin, Energjinë elektrike, janë duke vendosur në risk buxhetin, si ajo që do të vendosin për sistemin e OSSHE-së besoj kësaj jave, sepse vendimin mgjse e thanë, nuk e kam parë akoma të zbardhur.

Kostot e larta të kontratave korruptive. 20 milionë euro shkojnë këtu tek ne, por çfarë thoshte FMN-ja për të tjera të ngjashme dhe çfarë thotë Banka Botërore të ngjashme.

“Korridori i Bosnjës financohet nga fondet e BE-së ka kushtuar 10 milionë Euro. Rruga Nish – Merdarë, 7.7 milionë euro për km, kostot e rrugëve në Shqipëri janë dy herë më të larta se vendet e rajonit dhe këtë po miratojmë sot, nuk po miratojmë vaksinimin, sepse vaksinimi është 1% e asaj shume. Ne po miratojmë sa herë mblidhemi, kontratat e tyre korruptive.

Besoj se çdo mundësi që vjen këtu në Shqipëri, qoftë edhe këtë krizë, këta e shohin si mundësi për të vjedhur.

Çdo mundësi nuk e shohin se si mund të ndihmojnë qytetarët, çdo mundësi nuk e shohin se si ne mund të paktën të korrigjojmë edhe gabimet e tetë viteve të shkuara, por e shohin si një oportunitet për të bërë kontrata, për të mbajtur ata që na japin pushtetin, si një oportunitet për mundësinë që këta persona që kanë blerë zgjedhjet, që na sigurojnë kontratat miliona euroshe të vazhdojnë të paguajnë për të na mbajtur ne në pushtet.
 
Partia Demokratike ka kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Është një aferë korruptive e pastër. Është aferë kriminale. Çdo aferë në të gjithë botën do të kishte ngritur të dy duart. Edhe deputetë nqse do të ishin në mazhorancë.
 
Një kompani u krijua nga zero, mori tre kontrata konçesionare që shkojnë mbi 400 milionë euro. I mori në shkelje të të gjithë ligjeve dhe procedurave. 17 vendime qeverie u morën brenda një dite. u ngrit e gjithë qeveria në këmbë. Një kontratë konçesionare që firmoset po brenda një dite dhe këto nuk na japin ne të drejtën që ta hetojmë, për të ngritur një Komision Hetimor për të hetuar këto veprime të qeverisë, ne nuk e kemi të drejtën mgjse jemi këtu në Parlament.

Edhe në pandemi kur i dhanë të gjithë Shqipërisë 120 milionë euro, 3 milionë shqiptarëve, 3 kompanive të inceneratorëve i dhanë 54 milionë euro. Prapë kjo nuk është mjaftueshme për ta hetuar këtë si aferë korruptive.
 
Për herë të parë një grup parlamentar u mblodh për Inceneratorin e Ebasanit. E morën të gjithë grupin parlamentar e çuan tek inceneratori i mbetjeve atje për të mbuluar aferën e tyre. Se si mundet një grup i tërë parlamentar të mbrojë një kompani e sot një parlament të mos votojë për hetimin e kësaj afere, unë nuk e di.
 
Ne nuk do të tërhiqemi nga kërkesa jonë për të hetuar inceneratorët, impiantin e mbetjeve të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Edhe duke thirrur të paktën 5 deputetë në grupin parlamentar që kanë marrë vendime kriminale për buxhetin e shtetit ashtu siç e thotë KLSH.

Kemi bërë tre padi, akoma nuk kemi asnjë përgjigje nga SPAK, tre padi të cilat flenë sot në sirtarët e SPAK sepse i ke nivelin më të lartë nga Kryeministri, zv/Kryeministri, ke Sekretar të Përgjithshëm të përfshirë, ke Sekretar Organizativ të përfshirë, ke të paktën 5 persona nga PS të cilët duhej të ishin sot në hetim dhe ky parlament prapë do të mbyllë sytë e nuk do të na lë që të votojmë ngritjen e këtij Komisioni hetimor.

Nuk e pengon asgjë. As drejtësia nuk e pengon. Ne nuk do të marrim të arrestojmë persona këtu në parlament që kanë marrë vendime, ne thjesht duam që t’i çojmë ato përpara drejtësisë. Të bëjmë atë që SPAK nuk po bën.

Nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë për të ndryshuar thelbin e asaj që kërkojmë, as nga kërkesa jonë për të shkuar përpara drejtësisë kushdo i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 400 milionë euro."