Basha i turret Shalsit me ofendime, Rama e kritikon në mënyrë miqësore

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe njëkohësisht deputeti i PS, Eduard Shalsi pati një debat me kryetarin e PD, Lulzim Bashan ë momentin që po fliste për dekretin e presidentit Ilir Meta.

Basha ndërhyri nga vendi duke i kërkuar Shalsit që të mos vazhdonte të fliste për gjëra që sipas tij ishin një farsë. Ndërsa Shalsi nuk qëndroi indiferent ndaj këtij sulmi, teksa i tha se zëri i ngritur nuk mund ta trembte përveçse ta bënte të qeshë.

"Trashja jotë e zërit dhe të bërit si i fortë mund të trembë ndonjë laraskë aty pranë teje. Përveçse më bën për të qeshur, nuk më bën asgjë tjetër. Do flasim edhe për dekretin. Por ndjej një keqardhje të jashtëzakonshme. Ta kuptoj hallin, por nuk ta qaj hallin," tha Shalsi.

"Ju jeni plehra, fundërrima dhe banditë," tha Basha.

Kurse kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij në Kuvend me një kritikë për Bashën për mënyrën sesi ju drejtua deputetit socialist Eduard Shalsit në debatin që patën në hapje të seancës.

Rama tha se Basha nuk duhet të imitonte ish-kryeministrin Sali Berisha sepse nuk ishte i besueshëm dhe shtoi se fakti që bërtet në atë menyrë do të thotë që është në pikë të hallit dhe se këtë hall nuk ia zgjidhte dot askush.