Paraqitja dinjitoze e Kumbullës, Lewandowski dukej si lojtar krejt normal. Ja çfarë thonë ekspertët polak

Marash Kumbulla zhvilloi një paraqitje dinjitoze mbrëmjen e djeshme në ndeshjen kundër Polonisë. Pavarësisht humbjes 0-1 (goli jo për faj të tij) mbrojtësi kuqezi tregoi dhe njëherë tjetër se është një mur i pakalueshëm duke qenë lojtari më i mirë në fushë për Kombëtaren tonë.

Djaloshi nga Malësia e Madhe “futi në xhep” sulmuesin më të mirë të polakëve, Robert Lewandowski, duke e bërë të dukej një lojtar krejt normal dhe jo një “yll” Europian.

Këtë e kanë pranuar edhe ish-futbollistët dhe njëkohësisht ekspertët në Poloni. Wojciech Kowalcyk është shprehur se kjo ka qenë ndeshja më e keqe e Lewandowskit:

“Nëse e sheh kapitenin tonë, Lewandowski, ka qenë më i keqi në fushë, nuk ishte nën ritmin e ndeshjes”. Nga ana tjetër Michal Pol ka thënë: “Shumë herë Lewandowski është në gjendje të ndihmojë Poloninë, por Polonia nuk do të jetë shumë herë në gjendje për ta ndihmuar Lewandowskin”, tha Pol duke paralajmëruar sulmuesin e Bayern. Gjithashtu edhe tifozët në Twitter kanë qenë të pakënaqur nga performanca e këtij lojtari.