Duma kundër Rushajt/ ‘Nuk mblidhet Kuvendi për vendimet e SHBA'

Një kakofoni zërash brenda Partisë Demokratike. Fillimishte ishte Lulzim Basha që deklaroi se Kuvendi Kombëtar nuk mund të mblidhet për të shqyrtuar çështjen e liderit historik, Sali Berisha.

Më pas ishte kreu i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj që ndryshe nga Basha, Rushaj tha se 1500 delegatë mund të thërrasin Kuvendin Kombëtar.

“Asnjë Kuvend i PD, i zakonshëm apo i jashtëzakonshëm nuk duhet dhe nuk do të etiketohet anti- amerikan. 1500 delegatë e mbledhin Kuvendin dhe ne jemi të detyruar t’i bindemi,” tha ai.

Kurse tani është nënkryetarja e PD, Grida Duma që në një intervistë për A2, thotë se nuk do të mblidhet Kuvendi për vendimin e SHBA.

E pyetur për mbledhjen e firmave për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, Duma tha se nuk mund të ketë Kuvend për çështjen e vendimit të administratës amerikane për ish-kryeministrin Sali Berisha. “Kuvend mund të mblidhet për çdo gjë e për çdo çështje, por jo për një vendim amerikan”, tha Duma.

Kujtojmë se Foltorja po mbledh firmat për të thirrur Kuvendin Kombëtar, që do bëjë ndryshimet e nevojshme në statut për demokratizimin e partisë.