Challandes: E ardhmja e saj do të jetë shumë e mirë edhe pa mua në stol, por ndihmojeni Kosovën

Pyetjet mbi të ardhmen dhe mbi një shkarkim të mundshëm të tij në fund të edicionit eliminator, kanë nervozuar jo pak trajnerin Bernard Challandes, i cili ka reaguar ashpër ndaj gazetarëve në konferencën për shtyp para ndeshjes me Gjeorgjinë.

Challandes deklaroi se nuk është dramë një humbje në Spanjë dhe se skuadra ka punuar mirë e është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, teksa ka sjellë në vëmendje se bëhet fjalë për një përfaqësuese të re.

“Në Suedi nuk bëmë një ndeshje të mirë dhe u ndëshkuam nga disa gabime tonat, të cilat i kemi evidentuar dhe do të punojmë që të mos i përsëritim. Unë nuk shoh asnjë problem për humbjen në Suedi, pasi atje u mposht edhe Spanja. Kosova është një përfaqësuese e re, që është rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Sigurisht që ne mund të marrim rezultat të mirë edhe ndaj skuadrave si Suedia, Sllovenia, Spanja, Greqia, etj., megjithatë nëse nuk ia dalim, nuk shoh asnjë dramë”, deklaroi trajneri.

I pyetur mbi mundësinë e dorëheqje, tekniku zviceran u shmang me diplomaci, por la të kuptohet se eksperienca e tij te Kosova është drejt fundit dhe bëri thirrje që skuadra të mbështetet më shumë nga media.

“Një trajner nga ndeshja në ndeshje mbijeton dhe nuk e di nëse do të vijojmë bashkëpunimin apo jo. Nuk mund të flas sot për dorëheqje, apo për shkarkim, pasi këtë e vendosin të tjerët. Unë jam këtu prej tre vitesh e gjysmë dhe jam gati të vijoj punën e nisur, por nuk është momenti për të folur për të ardhmen. Ndalni kritikat dhe ndihmoni Kosovën. E ardhmja e saj do të jetë shumë e mirë edhe pa mua në stol, por ndihmojeni”, deklaroi tekniku zviceran.