Rama e pranon: Energjinë që prodhojmë vetë e shesim jashtë lirë dhe e blejmë shtrenjtë

Kryeministri Edi Rama pranoi sot se Shqipëria e shet energjinë jashtë vendit me çmim të lirë. 

Në konferencën për shtyp ku prezantoi planin e qeverisë për përballimin e krizës energjetike, Rama tha se energjia e prodhuar nga uji shitet jashtë vendit me çmim të lirë për shkak se duhet të zbrazen digat e tejmbushura në periudha reshjesh, pasi për ndryshe rrezikojmë të përmbytemi. 

Gjithashtu, Rama pranoi se Shqipëria e blen energjinë më shtrenjtë për shkak të kërkesës së lartë në treg. 

"Ne nuk e prodhojmë vetë të gjithë energjinë që na duhet. E shesim jashtë me çmim të lirë sepse vendet rreth nesh nuk kanë nevojë, që të mos e hedhim ujin në lumë, që të mos e mbajmë ujin kapicë, apo më keq akoma që të mos përmbytemi. Nga ana tjetër e blejmë shtrenjtë kur nevoja në treg bëhet alarmante për shkak të thatësirës. Prandaj po e ndërtojmë Skavicën, që ujin e tepërt ta mbajmë rezervë kur të kemi thatësirë", u shpreh Rama. 

Ditën e djeshme, 8 Tetor qeveria shpalli gjendjen e emergjencës në vend.

Sipas vendimit vendi do të jetë në kushte të emergjencës të furnizimit me energji elektrike deri në datën 15 prill 2022.