Korrupsioni në RTSH/ Puna për tenderin nisi para miratimit nga AMA

Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i ish-drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi.

Sipas SPAK, ai ka shpallur procedurën e tenderit 1 vit përpara se të merrte miratimin nga AMA dhe Bordi për hapjen e kanalit TVSH AGRO.

Po ashtu sipas dosjes së SPAK, Thoma Gëllçi, ka bërë një shtesë në kontratën me kompaninë fituese TBS96 në shkelje të ligjit.

Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi u arrestua mbrëmjen e të premtes për llogari të SPAK me akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me një tender në institucionin që ka drejtuar.

Në njoftimin e SPAK për mediat thuhet se Gëllçi është nën akuzë për abuzimet në blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro në Qershor të vitit 2018. Përveç Gëllçit, në pranga ranë edhe tre punonjësit e tjerë të Televizionit Publik.

Ndërsa 3 punonjësit e RTSH, gjithashtu të arrestuar, Juljan Tapi, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë konsumuar elementët e veprës penale të ‘’Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve ne tendera’ kryer në bashkëpunim.

Hetimi është nisur fillimisht nga prokuroria e Tiranës dhe më pas i ka kaluar për kompetencë SPAK.