Kontrolle në Graçanicë: serbët mbulojnë targat, asnjë ankesë më kundër 'recirporitetit'

Në Graçanicë po zbatohet vendimi për vendosjen e etiketave në targat e lëshuara nga Serbia. Policia po zhvillon aksion në trafik për të parë nëse targave serbe u janë mbuluar simbolet sipas vendimit të arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për reciprocitet.

Ekipi i IndeksOnline ka qëndruar në Graçanicë për të parë aksionin e policisë ku vendosja e etiketave ishte pothuajse në secilën targë të lëshuar nga Serbia.

Pronarëve të e tri makinave u është kërkuar nga policia që të largojnë targat provë të lëshuar nga Kosova, t’i vendosin targat serbe por me mbulim të simboleve.

Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të pajisen me etiketa në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve dhe në stacionet më të afërta policore, në të kundërtën Policia e Kosovës do t’i gjobisë ata.

Ky vendim i Ministrisë vjen pas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Sipas pikës dy të kësaj marrëveshjeje, si Kosova, ashtu edhe Serbia, do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra- tjetrës.

Aplikimi i këtyre etiketave ka nisur nga 4 tetori dhe do të zgjasë për 6 muaj, pas së cilës periudhë pritet të dilet me rekomandime se si të shkohet përpara.