VIDEO-SYRI TV/ Vrasja e kamerierit, kush është Llapushi, kërkohej nga policia, por drekonte në restorante

Gazment Kurmaku, kamarieri i cili u qëllua me grushte dhe sende të forta nga Erjon Llapushi ka ndërruar jetë pas pesë ditësh në vdekje klinike. 33-vjeçari Llapushi është shpallur në kërkim nga policia ndërkohë që ai njihet si person problematik pasi  ka qenë i dënuar më parë për plagosje, tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje dhe trafikim emigrantësh

SYRI TV

Ka ndërruar jetë pas pesë ditësh në vdekje klinike, kamerieri Gazment Kurmaku nga qyteti i Elbasani.  Kurmaku, kryekamerier në kompleksin Fish City në Labinot të Elbasanit, u qëllua me grushte dhe sende të forta nga Erjon Llapushi, i cili refuzoi të lironte tavolinën që ishte ulur, pasi kamerieri i tha se ishte e rezevuar.

33-vjeçari Erjon Llapushi njihet si person problematik dhe ka qenë i dënuar më parë për plagosje, tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje dhe trafikim emigrantësh të paligjshëm, ku hyrjet e daljet nga burgu kanë qenë të vazhdueshme prej vitesh.

33-vjeçari është djali i Nevruz Llapushit i cili ka mbajtur poste të rëndësishme në Policinë e Shtetit dhe se dyshohet se për shkak të veprimtarive kriminale të të birit është larguar nga radhët e policisë në maj të vitit 2020.

Duket se autori i vrasjes vazhdimisht ka shfrytëzuar pozicionin e të atit, pasi është arrestuar dhe akuzuar se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që  shantazhonte dhe terrorizonte me dhunë biznesmenët duke u vendosur gjoba. Për këtë arsye ai është arrestuar nga policia në vitin 2019.

Në 15 maj të 2020 Erion Llapushi ishte shënjestra e OFL-së për vetëdeklarimin e pasurisë ndërkohë që 4 muaj më parë Llapushi është arrestuar nga forcat blu pasi ka tentuar të trafikojë drejt Tiranës emigrantë të paligjshëm.