Rrogat e ulëta/ Rama: Do iu rriten kur Gjermania t'i bëjë 20 mijë euro!

Në konferencën për mediat, kryeministri Edi Rama iu dha përgjigje edhe atyre që thonë, se kjo rritje çmimesh “njësoj si në vendet e Europës” është e papërballueshme për shqiptarët pasi ata nuk i kanë rrogat dhe pensionet “njësoj si ata”.

Sipas Ramës, rritja e rrogave dhe pensioneve nuk mund të bëhet nëse rriten çmimet, por nëse rriten kapacitetet ekonomike të vendit tonë.

Ai njëkohësisht i njoftoi shqiptarët, se pavarësisht se çmimet e të gjitha produkteve (veçanërisht atyre ushqimore), janë rritur në mënyrë skandaloze, nuk do të ketë rritje pensionesh dhe pagash në këtë situatë me qëllim kompensimin sado të vogël, të bilancit të buxhetit familjarë. Rama deklaroi prerë se rrogat e shqiptarëve do të rriten vetëm atëherë kur ato në Gjermani dhe në Francë të shkojnë 20 mijë euro në muaj!

Dhe për t;i ngushëlluar sadopak ata që e votuan për një mandat të tretë, iu premtoi se do ta mbajë fjalën që në fillim të vitit 2022, paga minimale do të bëhet 320 mijë lek të vjetra në muaj (rreth 250 euro) ose gati 10-fish më pak sa është aktualisht në Gjermani dhe në Francë. 

“Ne kemi zgjedhur këtë sistem 30 vjet përpara. Nëse marrim çmimin e bukës, nga viti 90 e këtej. Ka ardhur në rritje, natyrisht rritja e çmimit reflekton tregun, kërkesën dhe ofertën. Nuk do të prodhojë bukë për ta mbajtur në magazinë. Këtë e kemi mbyllur. 

Nga ana tjetër, meqë rrisni çmimet rrisni rrogat, nuk funksionon kështu. Rrogat nuk rriten se dua unë. Nuk ekziston një kryeministër që nuk do të rrisë rrogat sa herë kërkojnë qytetarët. Kjo është të thuash njësoj sikur në shtëpinë e vogël të thuash pse nuk i jep më shumë lekë fëmijëve. 

Kështu t'i duhet të marrësh borxh ose të punosh më shumë. Pse Gjermania dhe Franca nuk i bëjnë rrogat nga 20 mijë euro për person. Që të rrisim kapacitetet ekonomike duhet të punojmë më shumë. Ne nuk do i shmangemi as një zotimi që kemi marrë. Në 1 janar të vitit 2022, rroga minimale do shkojë 320 mijë lekë (të vjetra)”, tha kryeministri Rama.