Berisha mund bindshëm Bashën në garën për kryetar të PD

Gjysma e votuesve të Partisë Demokratike preferon Sali Berishën si kryetar të PD, është rezultati i anketës së Euronews.

Lulzim Basha mbështetet nga 1/3-ta e votuesve të PD, për të qëndruar në karrigen e kryetarit të partisë, është rezultati i anketës së Euronews.

49.5% e votuesve demokratë preferojnë Sali Berishën si kryetar të PD, kundrejt 34.6% e atyre që mbështesin Lulzim Bashën. Vetëm 8.3% e votuesve të PD mendojnë që partisë i duhet një udhëheqës i ri. 

Thuajse gjysma e votuesve të PD-së mendojnë se largimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar demokrat nuk e ndihmon partinë të vijë në pushtet më shpejt.

Vetëm 22% e tyre mendojnë se vendimi i Bashës e ndihmon ardhjen në pushtet të PD-së. 

***

Kështu, nëse do të votohej nesër për kryetar të Partisë Demokratike, Sali Berisha do të triumfonte bindshëm ndaj Lulzim Bashës. 

Që prej nisjes së lëvizjes 'Foltorja', popullariteti i Sali Berishës në mesin e demokratëve sa vjen dhe rritet.

Kanë kaluar jo më shumë se tre javë nga takimi i parë i 16 shtatorit, në Rogner, Tiranë, pikënisja e nismës gjithëpërfshirëse e liderit historik të demokratëve, për t'i rikthyer Partisë Demokratike sovranitetin dhe demokratëve dinjitetin e mohuar gjatë tetë viteve opozitë nën drejtimin e Lulzim Bashës.  

Por, çfarë po ndodh dhe çfarë do të ndodhë në vijim? Është pyetja e shumë optimistëve dhe pesimistëve njëherazi, si në njërin krah ashtu edhe në krahun tjetër të palëve. 

Fakt është se kuotat politike të Sali Berishës janë në rritje, ato të Lulzim Bashës në rënie të lirë.

Anketa më e fundit e realizuar nga Euronews na jep një tablo të qartë rreth asaj që pritet në të ardhmen, në Partinë Demokratike dhe se cili është verdikti i anëtarësisë demokrate, mes Berishës dhe Bashës. 

Sot, 65% e votuesve të PD të anketuar, pëlqejnë më shumë Berishën, ndërsa 57% preferojnë Lulzim Bashën. Kujtojmë që në muajin gusht, kur 'Foltorja' ende nuk ishte lançuar, Lulzim Basha gëzonte popullaritet në 67% të votuesve të PD, ndërsa Berisha ishte në nivelin e 56%. 

Tashmë raportet janë përmbysur. Entuziazmi i jashtëzakonshëm në gjashtë 'Foltore' radhazi të ish-kryeministrit Sali Berisha, e fundit dje në Gjirokastër, po përkthehet edhe në mbështetje në bindje e qëndrime nga anëtarësia demokrate, të cilët nuk ngurrojnë ta shprehin, atë frymë dhe atë energji, edhe me votë.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD është tashmë një realitet i pamohueshëm dhe i papengueshëm njëkohësisht. 

Është koha që PD të bëjë zgjedhje dhe vota e demokratëve të numërohet, për herë të parë pas 8 vitesh.