VIDEO/ Magji dhe spektakël në 'Elbasan Arena', Shqipëria triumfon ndaj Andorrës me dy gola fantastik të Muçit

Kombëtarja Shpresa ka fituar ndaj Andorrës me rezultatin 2-0 në “Elbasan Arena”, falë dopietës së Ernest Muçit, i cili shkëlqeu përballë moshtarëve të tij me dy perla nga goditjet e dënimit.

Kuqezinjtë ishin gjatë gjithë ndeshjes superiorë në fushë, duke realizuar një gol në çdo pjesë të lojës.

Që në minutat e para Shqipëria ishte një skuadër me pretendime të qarta dhe imponuese me lojën e saj.

Andorra shpejt iu nënshtrua skuadrës sonë dhe tentoi të mbrohet, duke tentuar ndonjë sulm të shpejtë, të ndalur nga mbrojtja jonë.

Në të 36-tën Shqipëria kaloi më në fund përpara me Muçin, që realizoi me një kryevepër nga goditja e dënimit, duke u konfirmuar vendimtar për kuqezinjtë.

Në pjesën e dytë, Shqipëria ishte sërish më këmbëngulëse dhe siç logjikshëm pritej.

Në të 70-tën kuqezinjtë mund të kishin shënuar golin e qetësisë, por Muçi gaboi nga pika e bardhë pas penalltisë së fituar nga Dobra, duke kaluar për pasojë në fundin e ndeshjes dhe disa minuta paniku.

Në të 90-tën ishte Asllani që për pak shënoi të dytin pas një goditjeje dënimi me dy pasime brenda në zone, ndërkohë që në të 92-tën Muçi veshi kostumin e protagonistit të madh me një tjetër perlë nga goditja e dënimit.

Një sukses i firmosur nga Muçi dhe 3 pikë për kuqezinjtë, që pas katër golave të pësuar në Çeki rikthehen te suksesi, duke patur dy fitore në 3 ndeshje, pavarësisht se të arritura ndaj ekipit të fundit në grup.