VIDEO-SYRI TV/ Homazhet, Kosta Grillos i jepet lamtumira e fundit

Në ambientet e stadiumit ‘Selman Stërmasi’ u mbajtën homazhet në nderim të gazetarit sportiv Kostandin Grillo, që humbi jetën dy ditë më parë për shkak të COVID-19. Të afërm, miq, kolegë dhe personazhe të tjerë publik nderuan Kosta Grillon, i cili ishte një profesionist i madh në punën e tij

Nga SYRI TV

U mbajtën këtë të enjte në ambientet e stadiumit ‘Selman Stërmasi’, homazhet në nderim të gazetarit sportiv Kostandin Grillo, që humbi jetën dy ditë më parë për shkak të COVID-19.

Pas rreth 2 muajsh luftë me virusin që ka marrë shumë jetë njerëzish në të gjithë botën, Grillo nuk mundi tia dilte, duke i kaluar çastet e tij të fundit në jetë, në një klinikë të specializuar në Turqi, ku ai ishte shtruar për një kurim më të mirë.

Në homazhet e mbajtura paraditen e sotme morën pjesë qindra njerëz, nga të gjitha fushat, të cilët nderuan Kosta Grillon, i cili përveç se një profesionist në punën e tij, ishte një njeri me zemër të madhe dhe mik i të gjithëve.

I pranishëm në homazhet e zhvilluara, ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka i cili vlerësoi figurën e Kosta Grillos

Gjithashtu miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij vlerësuan Grillon, si një ndër emrat më të mëdhenj të gazetarisë dhe komentit sportiv

Pas homazheve në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, që zgjatën disa orë, trupi i të ndjerit u nis drejt Himarës, atje ku u bë edhe përcjellja për në banesën e fundit.