Ballafaqimi/ Pse mashtron Rama kur thotë se në këtë krizë ‘jemi njësoj si bota’

I vetmi “argument” që kryeministri Edi Rama përdori sot për krizën që ka përfshirë Shqipërinë (e cila për hir të së vërtetën nuk është thjesht e karburanteve dhe energjisë, por e ekonomisë shqiptare), ishte se gjithçka varet vetëm nga zhvillimet në botë.

Faktikisht jo vetëm çmimi i karburanteve por i të gjitha ushqimeve pa përjashtim, në vendin tonë kanë nisur që të rriten ndjeshëm që në fillim të këtij viti, kur ende nuk po flitej askund për ndonjë krizë.

Por për kryeministrin, Edi Rama, faji si gjithmonë është gjithkund (këtë herë nëpër botë) dhe asnjëherë te qeverisja e tij. 

“Rritja e çmimit të bukës lidhje me konjukturën ndërkombëtare me bursën. Ekonominë e lirë të tregut e kemi zgjedhur të jetojmë në një vend të hapur. Të përfitojmë nga të gjitha të mirat dhe të marrim dhe goditjen që sjell të qenit vend i hapur. Se mbase të kishim qenë vend i mbyllur, as virusi nuk do hynte. Sa për krizën energjetike, e para është që ne nuk kemi sot një kapacitet të atillë prodhues që të sigurojmë sovranitetin e plotë dhe për këtë po punojmë”, u justifikua ai sot në parlament.

Përveç kësaj në fjalën e tij ai akuzoi opozitën dhe gjithkënd tjetër që e kritikon si të falimentuar, se kanë mentalitet të rregjimit komunist ku çmimet nuk i rregullon dhe vendos tregu i lirë, por shteti.

Në përroin e tij të justifikimeve, ku nuk u pa asnjë grimcë strategjie dhe mase konkrete, se si qeveria do të ndihmojë familjet shqiptare që të mos falimentojnë nga rritja zinxhir e mëtejshme e të gjitha çmimeve, (ndërkohë që rrogat dhe të ardhurat dihen se në çfarë niveli janë), Rama hodhi si shembull edhe Spanjën, ku çmimet janë rritur ndjeshëm.

Por kryeministri nuk iu thotë shqiptarëve se qeveria spanjolle, që në muajin në korrik, duke parashikuar krizën që po vinte, ka njoftuar një ulje të TVSH -së për çmimet e energjisë me qëllim uljen e barrës mbi konsumatorët.

Kjo masë konkrete në mbrojtje të qytetarëve spanjollë, vlerësohet në një kosto deri në 2.6 miliardë euro, sipas vlerësimeve fillestare, e cila kalon në favor të mos-prekjes së të ardhurave bazë.

Rama merr si shembull botën për krizën dhe rritjen e çmimeve, por nga ana tjetër bën sikur nuk e di, se kryeministri italian, Mario Draghi, premtoi më 23 shtator, një reduktim të taksimit që vlerësohet deri në 3 miliardë euro, mbi faturat e gazit dhe energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla për tremujorin e fundit të 2021. 

Edhe kryeministri francez Jean Castex e qetësoi popullin e tij në 30 shtator në televizionin TF1, duke garantuar se rritja e çmimit të gazit do të ishte masa e fundit që ata do të lejonin të ndodhte. Kurse ministri i financave, Bruno Le Maire konfirmoi dhënjen e një çeku për 100 eurosh, për gjashtë milionë familje në nevojë. 

Kështu veprojnë dhe planifikojnë në favor dhe në mbrojtje të nënshtesave të vetë qevritë “e botës”, kur ka kriza si kjo.

Kurse kryeministri ynë pasi lajmëron “qametin” që i pret shqiptarët, e kalon përgjegjësinë vetëm duke i futur një justifikim populist: Është treg i lirë dhe çmimet rriten, kriza po na vjen nga bota dhe nuk kemi çfarë të bëjmë…