Gjeti thesarin e Montekristos?! Pecorelli vodhi një kishë, nisin hetimet

Të tjera telashe për biznesmenin italian, Davide Pecorelli, i cili u zhduk në Shqipëri në janar për t’u shfaqur para pak ditësh pranë ishullit të famshëm të Montekristos në një gomone të prishur.

Sipas medieve italiane, ndaj biznesmenit ka nisur një hetim pasi dyshohet se ka vjedhur një sasi monedhash ari nga një kishë në Sovana.

La Nazione raporton se 45-vjeçari ka marrë një sasi monedhash ari me një vlerë prej rreth 400 mijë euro.

Italiani kishte thënë se ka gjetur thesarin e famshëm të Montekristos, por ekspertët thanë se nga këqyrja e monedhave rezulton se ato i përkasin një kishe në zonën e Sovanas.

Prokuroria ka nisur hetimet për vjedhje dhe ka bërë disa sekuestrime.

Pecorelli po hetohet edhe nga prokuroria e Pukës në Shqipëri për zjarrvënie dhe vjedhje eshtrash njerëzore.

I pyetur nga mediat për këto hetime, ai tha: “Jam i qetë, besoj te prokuroria. Siç kam deklaruar edhe më parë, kam gjetur dy arka me monedha ari në ishullin e Montekristos, por nuk i kam marrë kurrë në pronësi”.