Belgjikë-Francë, përcaktohet sot finalisti i dytë i Ligës së Kombeve

Pas gjysmëfinales së parë Itali-Spanjë (u kualifikuan spanjollët), radhën për të zbritur në fushë do ta kenë Belgjika me Francën, për të përcaktuar finalistin tjetër të Ligës së Kombeve.

Blutë do të bëjnë çmos për të hedhur pas krahëve zhgënjimin që pësuan në Europianin e fundit, ndërsa “Djajtë e Kuq” këtë herë synojnë që të shkojnë deri në fund, për të koleksionuar në këtë mënyrë edhe trofeun e parë të rëndësishëm në historinë e përfaqësueses belge.

Belgjika nuk e mund Francën në sfidat kompetitive që nga viti i largët 1981.

Belgjika vazhdon të përfaqësojë forcën e parë në glob, në klasifikimin e FIFA-s, ndërsa Franca ka rrëshqitur në pozicionin e katërt në renditjen botërore, me 78 pikë më pak se sa skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Martinez.

Kurioz është fakti që në stafin drejtues të Belgjikës bën pjesë edhe ish-sulmuesi i famshëm Thierry Henry, i cili përfaqëson pikërisht golashënuesin më të mirë në historinë e “gjelave”.

Më saktë bëhet fjalë për një rikthim të 44-vjecarit parizien në këtë post, duke pasur parasysh që ish-sulmuesi i mirënjohur me origjinë nga Guadalupe dhe Martinika ka qenë pjesë e stafit të Belgjikës, si asistent i spanjollit Roberto Martinez nga 2016 deri në vitin 2018, kur edhe vendosi të largohej nga kjo detyrë, menjëherë pas përfundimit të botërorit rus.

Të dy vendet u kualifikuan me nga 5 fitore nga grupet e tyre respektive.

Përsa i përket ndeshjes Didier Deschamps duhet të mendojë për lojtarin që do të vendosë në ndihmë të futbollistit të Manchester United Paul Pogba, për shkak të mungesës së madhe të mesfushorit N’Golo Kante.

Përpara blutë pritet të zbresin në fushë me treshen Griezmann – Mbappe – Benzema, ndërkaq në anën tjetër trajneri Roberto Martinez i ka të gjithë në dispozicion, kështu që “djajtë e kuq” do të rreshtojnë në sulm treshen Kevin De Bruyne – Eden Hazard – Romelu Lukaku.

Franca nuk ka humbur asnjë nga 24 ndeshjet ku ka realizuar veterani Karim Benzema. Për më tepër në katër dekadat e fundit blutë kanë humbur vetëm 2 nga 12 sfidat mes tyre, e madje edhe në ato raste bëhet fjalë për dy humbje në ndeshje miqësore të luajtura brenda në kryeqytetin francez.

Belgjika kryeson bilancin e përgjithshëm të 74 përballjeve ndërmjet dy vendeve, 30 me 25 me fitore, ndërsa 19 takime kanë përfunduar në barazim.

Ndeshja Belgjikë – Francë do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin e Juventusit dhe do të drejtohet nga kryesori gjerman Daniel Siebert.