Kurz manipuloi sondazhet/ Sa të besueshme janë anketat politike?

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz është në telashe për shkak se prokurorët anti-korrupsion i janë vënë në shpinë atij dhe partisë së tij. Kurz akuzohet për abuzim me detyrën, për ryshfet dhe korrupsion.

Ajo që bie në sy është se në qendër të akuzave janë dyshimet se ai ka paguar një gazetë me fondet publike për të publikuar sondazhe të manipuluara në favor të partisë së tij. Këto sondazhe nuk janë publikuar si reklama në gazetë, por kanë shërbyer për të manipuluar realitetin.

35-vjeçari Kurz po hetohet edhe për një çështje tjetër nga autoritetet anti-korrupsion, pasi dyshohet se ka bërë deklarata të rreme për një komision parlamentar.

Kancelari ka mohuar akuzat dhe thotë se do të vazhdojë të mbetet në detyrë. Sipas tij, këto akuza kanë për qëllim dëmtimin e partisë.

Megjithatë bie në sy fakti se në një vend të zhvilluar dhe demokratik si Austria, sondazhet përdoren qëllimisht për të manipuluar opinionin publik.

Në këto kushte, pyetja që lind është sa të besueshme janë anketat politike, sidomos në vende si Shqipëria ku manipulohet çdo gjë?

Prej kohësh, sondazhet politike janë vënë në dyshim pasi kanë dështuar në jo pak raste për të treguar realitetin edhe në vende shumë të zhvilluara dhe demokratike.