Dëmtohet rëndë nga përplasja me mbrojtësin e Interit, sulmuesi mbyll sezonin

Një përplasje aksidentale me mbrojtësin holandez të Interit, Denzel Dumfries, do t’i kushtojë shumë shtrenjtë sulmuesit 20-vjeçar të Shakhtar Donetsk, Lassina Traore, sipas konfirmimeve që vijnë nga vetë klubi ukrainas.

Gjuri i lojtarit është dëmtuar dhe është e pashmangshme një ndërhyrje kirurgjikale, kanë shpjeguar mjekët e klubit të Shakhtarit, ndërsa koha e rikuperimit për raste të tilla varion nga 9 deri në 12 muaj.

Thënë ndryshe, sezoni mund të quhet pa frikë i përfunduar për sulmuesin e talentuar të Shakhtar, i cili iu bashkua klubit ukrainas vetëm gjatë merkatos së verës, në një transferim prej 10 milionë eurosh nga Ajaxi i Amsterdamit.

Sulmuesi nga Burkina Faso e kishte nisur në mënyrë perfekte aventurën e tij në kampionatin ukrainas, duke shënuar 6 gola në 7 ndeshje dhe një gol në Ligën e Kampionëve, megjithatë një pakujdesi në dyluftim, e ndali në momentin më të mirë.