Mancini kritikon Bonuccin: Duhej të tregohej i kujdesshëm, nuk bëhen gabime të tilla

Merr fund rekordi i Italisë, e cila pas 1122 ditësh, është mundur në një ndeshje.

Humbja 2-1 përballë Spanjës ka eliminuar italianët nga gara për suksesin në Ligën e Kombeve dhe Roberto Mancini mendon se diferencën e bënë vetëm episodet, duke drejtuar gishtin sidomos te kartoni i kuq i Bonuçit.

“Ndeshjet janë kështu, episodet ndikojnë. Pjesa e parë mund të mbyllej 1-1 lehtësisht. Ata luajnë shumë mirë teknikisht, por të vjen keq që u mbyll kështu. Duhej të mbeteshim me 11, kemi bërë një gabim që në këto nivele nuk duhet bërë”, tha ai pas sfidës.

“Kartoni i kuq i Bonuccit? Nuk e kam parë, por nuk ndryshon gjë, Leo duhej të tregohej i kujdesshëm në fillim, kur mori të verdhë për protesta. Ishte një paraqitje e mire dhe djemtë duhen përgëzuar për atë që kanë bërë.

Vërshëllimat për Donarumën? Më erdhi keq.

Spanja me të rinj? Është e drejtë, Edhe ne mund të luanim me ndonjë të ri më shumë, por janë disa situata që duhen respektuar. Përtej kësaj humbje, na ka dhënë shumë forcë”, theksoi Mancini.