Arrihet marrëveshja, klubi i Newcastle pritet t’i shitet princit saudit për 350 milionë euro

Newcastle United i është dhënë leja për t’ia shitur klubin Princit Saudit Mohammed bin Salman pasi mosmarrëveshja mes Anglisë dhe Arabisë Saudite u zgjidh, raportoi Daily Mail.

Përpjekja e vitit të kaluar nga princi saudit për të blerë Newcastle dështoi sepse Arabia Saudite nuk e kishte zgjidhur çështjen e piraterisë së transmetimit të Premier League, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe të drejtat televizive i janë shitur “beIN Sports”.

Daily Mail thekson se Bin Salman madje i bëri presion kryeministrit britanik Boris Johnson se marrëdhënia midis dy vendeve do të prishet nëse nuk fillon procedura, gjë që tani ka ndodhur.

Kështu, rruga është e hapur që Princi të blejë Newcastle nga Mike Ashley për 350 milionë euro dhe të krijojë një ekip të fuqishëm siç ishte njoftuar më parë.

Një fat i ngjashëm pati Manchester City apo Paris Saint-Germain të cilët shumë shpejt u bënë të fuqishëm në botën e futbollit pasi “pompuan” para nga Lindja e Mesme.

Kujtojmë, vitin e kaluar, emra të shumtë si Gareth Bale ose Luka Joviç u përmendën si përforcime të mundshme tek Newcastle United.

Në çdo rast, futbolli anglez do të forcohet më tej nëse Newcastle përjeton rilindjen e paralajmëruar.