VIDEO nga SYRI TV/ Vrasja e dyfishtë, objektiv i atentatit ishte 'i tmerrshmi' i Elbasanit

Objektivi i atentatit me armë zjarri mbrëmjen e së hënës në qytetin e Elbasanit ka qenë shtetasi Lulzim Bitri. Atentati me armë zjarri që i mori jetën në vend 43- vjeçarit u organizua pranë një pike karburanti në zonën e Bradasheshit, kur dy persona të maskuar dhe me kallashnikovë qëlluan me armë zjarri ndaj Bitrit, duke i marrë jetën në vend, ndërsa fillimisht mbeti i plagosur dhe më pas ndërroi jetë në spital shtetasi Ardian Çollaku.

Burimet bëjnë me dije se 43-vjeçari Lulzim Bitri është përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale, por asnjëherë nuk është shoqëruar nga Policia e Shtetit. Krimi i rëndë dyshohet të ketë ndodhur për larje hesapesh midis grupeve kriminale që veprojnë në qarkun e Elbasanit.

Ka qenë ora rreth 18:47 kur një automjet tip “Volvo” qarkullon në afërsi të vendit të ngjarjes. Rreth orës 18:55 Lulzim Bitri, pa e ditur se ishte shënjestër e atentatit, ngrihet nga lokali dhe shkon në tualet dhe vetëm një minutë më vonë, mjeti tip “Volvo” që u përket autorëve të ekzekutimeve, futet në brendësi të karburantit, mbrapa të cilit ndodhet edhe një lavazh, shkruan Panorama.

Në këto momente, automjeti tip “Volvo” del nga mbrapa lokalit dhe ndalon teksa Bitri ishte ende në tualet. Në këto momente, një automjet tjetër i jep sinjal mjetit tip “Volvo” ku besohet se ndodheshin autorët e krimit. Automjeti në fjalë largohet nga vendi i ngjarjes ende pa kryer ekzekutimin, duke marrë drejtimin e aksit Elbasan-Metalurgjik, për t’u kthyer pranë karburantit vetëm pas 2-3 minutash. Automjeti sërish vijon rrugën për në hyrje të qytetit dhe te rrethrrotullimi i luleve kthehet sërish në vendin ku ndodheshin dy viktimat.

Brenda mjetit tip “Volvo” dyshohet të kenë qenë tre persona të maskuar, dy prej të cilëve zbresin dhe kryejnë atentatin, ndërsa i treti është drejtuesi i mjetit. Pasi ndalojnë pranë karburantit, në kohën që Bitri dhe Çollaku dalin prej tij, dyshja e vrasësve qëllojnë me breshëri, duke lënë të vdekur në vend Lulzimin dhe më pas ndaj personit tjetër që e shoqëronte, Ardianin.

Pas ekzekutimit të Bitrit dhe Çollakut, në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur të paktën 23 gëzhoja. Dy prej plumbave e kanë goditur Bitrin në pjesën e kurrizit, çka ka qenë fatale për të, ndërsa Çollaku (Subashi) është qëlluar me një plumb në pjesën e kokës, duke përfunduar në gjendje të rëndë fillimisht në Spitalin e Elbasanit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku edhe ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të së martës.

Pasi derdhën breshërinë e plumbave, dy autorët e maskuar hipin sërish në automjetin tip “Volvo” dhe largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të segmentit rrugor Elbasan-Peqin. Siç veprojnë rëndom grupet kriminale apo vrasësit me pagesë, edhe në këtë rast automjetit i është vënë zjarri në fshatin Balldren të Elbasanit.

Atentati ndaj Lulzim Bitrit dhe Ardian Çollakut ka qenë i mirorganizuar. Dy autorët e maskuar ishin të armatosur me një armë automatike të tipit kallashnikov, si dhe me një armë tjetër tip “Skorpions”. Dy armët u gjetën të djegura brenda automjetit tip “Volvo”, të cilit iu vu zjarri jo shumë larg vendit të krimit. Armët janë djegur thuajse plotësisht, çka është e vështirë për hetuesit të merret ndonjë provë e rëndësishme. Pasi kanë djegur automjetin me të cilin u krye vrasja, autorët më pas janë larguar pa gjurmë, duke mbuluar me mister një tjetër atentat të rëndë në qytetin e Elbasanit.

Të vetmet prova që hetuesit kanë në duar janë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë përveç atyre të karburantit. Policia ka një identikit të autorëve të atentatit me armë zjarri, por identifikimi i tyre është i vështirë për shkak se ishin të maskuar. Raportohet se zona ku ka ndodhur ngjarja është e mbushur me kamera dhe Policia i ka sekuestruar dhe po heton të gjitha lëvizjet që kanë bërë autorët gjatë minutave para dhe pas ekzekutimeve.