Meta takon kryetaren e OSBE-së: Vlerësova punën e saj për integrimin e Shqipërisë

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka takuar kryetaren e OSBE-së, njëkohësisht ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, pas vizitës së kësaj të fundit në Tiranë.

Meta thekson se gjatë vizitës, ka vlerësuar punën e Ann Linde, në drejtim të integrimit të vendit tonë drejt BE-së.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

Kënaqësi të takohesha me Kryetaren e radhës së OSBE-së, Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Zonjën Ann Linde, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Tiranë.

Vlerësova kryesinë suedeze të OSBE-së, rolin, përpjekjet dhe angazhimin me synim krijimin e një rajoni më të sigurtë dhe më të mirë për të gjithë, si dhe e sigurova për mbështetjen e Shqipërisë në çështjet e multilateralizmit dhe prioritetet e kryesisë aktuale.

E falënderova për rolin mbështetës të Suedisë në planin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në atë dypalësh, veçanërisht nëpërmjet projekteve të ndryshme zhvillimore për demokracinë dhe institucionet e pavarura në vendin tonë.