Pasi e përdori për zgjedhjet, Rama largon Ardi Veliun

Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu është shkarkuar nga detyra që mbante prej vitesh.

Pasi Rama e përdori për zgjedhjet, duke e detyruar edhe të gënjejë në lidhje me ngjarjen e rëndë të Elbasanit, ai ka vendosur që ta largojë.

Vendimi duket se është marrë nga Edi Rama, pas propozimit të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Largimi i tij nga drejtimi i Policisë së Shtetit vjen në një moment kur javën e kaluar, më 28 Shtator 2021 u vra nënkomisari i Policisë së Lezhës, Saimir Hoxha, teksa po kontrollonin për shkatërrimin e parcelave të kanabisit në zonën e Kuve Vainit.

Ardi Veliu u emërua në këtë detyrë në Shkurt të vitit 2018, 1 muaj pas largimit të Haki Çakos, me propozim te ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj.

Me shkarkimin nga detyra, Ardi Veliu nuk do të jetë më as pjesë e policisë. Sipas ligjit për policinë, pas përfundimit të afatit të qëndrimit në detyre, drejtori i policisë nuk rikthehet më në strukturat e policisë, por mund të kryejë funksione të tjera këshillimore ose pedagogjike.

I njëjti ligj përcakton se drejtori i ri i policisë duhet të ketë gradën ‘Drejtues i lartë’ ose ‘Drejtues i parë’ apo të ketë të paktën 15 vjet përvojë në polici, nga të cilat të paktën 10 vjet në pozita të larta drejtuese në strukturat e Policisë.

Ai qëndron në detyrë për një periudhë prej 5 vjetësh me të drejtë riemërimi edhe për një mandat tjetër, çka nuk u aplikua në rastin e Ardi Veliut.