Komision hetimor për 'Çështjen Bechetti”, PD: Paratë e dëmshpërblimit të paguhen nga qeveria

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, në një prononcim për mediat, ka treguar se ata si grup parlamentar kanë depozituar zyrtarisht kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor, për çështjen “Bechetti”.

Duma tha se qëllimi i këtij komisioni është që paratë e fituara nga një gjykatë arbitrazhi në favor të biznesmenit italian, të mos paguhen nga taksat e qytetarëve, por nga ata që në të vërtetë shkaktuan dëmin, e që sipas saj është qeveria.

“Përshëndetje të gjithëve. Sot protokolluam kërkesën zyrtare të PD dhe grupit parlamentar të PD, sa i përket komisionit hetimor të Kuvendit për çështjen Bechetti. Opinioni publik është i njohur në këtë rast dhe koston mbi 120 mln euro që shqiptarët duhet t’i paguajnë një kompanie private. Në këtë gjendje që është Shqipëria sot do të duhet të paguajë një borxh tjetër, për një sagë që nisi në 2015 si një sagë hakmarrje politike. Ajo ishte një ndër të paktat media që bënte opozitë ndaj korrupsionit dhe në atë rast, publikoi dasmën luksoze të Veliajt.

Kjo çështje nisi për politikë dhe sot rezulton në 3 dëme të mëdha. Dëmi i prishjes së një investimi të huaj, moslejimi i fjalës së lirë të një mediaje dhe koston financiare që duhet të paguajmë. Pikërisht për t’i dhënë sistemit të drejtësisë atë që është shansi për të riparuar dëmet dhe për të mbyllur një sagë tjetër, ky komision hetimor, ne si anëtar të këtij komisioni duam të shtrojmë më tepër qartësi dhe që dëmin në fund, duhet të mos e paguajnë shqiptarët që s’kanë asnjë faj, pora ta që e nisën me koshiencë këtë dëm".