VIDEO/ Soreca flet për zgjatje vetingu/ 'Befason' Manja: Shteti ishte i kapur

Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, deklaroi sot se vetingu duhet të vazhdojë, duke mbështetur kërkesën e mazhorancës për zgjatjen e afatit të organeve të tij.

Soreca theksoi në një konferencë të mbajtur paraditen e sotme për rolin e institucioneve të drejtësisë, se Kuvendi duhet ta konsultojë këtë propozim me të gjithë aktorët duke shtuar se konsolidimi i reformës në Drejtësi duhet të jetë kryefjalë.

“Vetingu të vazhdojë, por duhet zgjatja e afatit të organeve të vetingut. Kuvendi duhet ta konsultojë me të gjithë aktorët. Konsolidimi i Reformës në Drejtësi duhet të jetë kryefjalë. Reforma në drejtësi po sjell rezultate konkrete të paimagjinueshme, për shembull kemi 23 procedime penale ndaj ish-gjyqtarëve, përfshirë ish-gjyqtarë të lartë”, ka deklaruar ai.

Kurse ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në konferencën e titulluar “Roli i Institucioneve Vetëqeverisëse të Drejtësisë” ku të pranishëm ishin dhe anëtarë të medias, tha se reforma në drejtësi po jep frytet e para dhe se qeveria është e angazhuar ta dërgojë përpara këtë reforme. 

“Shteti i së drejtës ishte i kapur peng nga korrupsioni. Vetingu filtroi dhe nxori nga sistemi një numër të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh. Reforma ishte e nevojshme dhe po jep rezultate. Ndërsa tani, le të flasim për rezultate konkrete, sepse sistemi i mëparshëm i drejtësisë promovonte padrejtësinë dhe modelin e pandëshkueshmërisë. Reforma në Drejtësi po jep rezultate dhe qeveria e re është e vendosur ta çojë përpara".