‘Si duhet shfrytëzuar Lukaku’/ Conte këshillon trajnerin e Chelseat

Romelu Lukaku është shndërruar në pikë referencë në sulmin e Chelsea-t kampion Europe, teksa trajneri Thomas Tuchel e ka aktivizuar në majën të repartit të avancuar, në skemën e tij 3-4-2-1.

Sulmuesi belg, që u ble për 115 milionë euro nga Interi, ka përmbushur pritshmëritë në këtë fillim sezoni, megjithatë në dy ndeshjet e fundit, ndaj Manchester City-t në kampionat dhe Juventusit në Ligën e Kampionëve, është parë në vështirësi.

Ish-trajneri i Chelsea-t dhe njëkohësisht njeriu që “ringjalli” Lukakun tek Interi, Antonio Conte foli me superlativa për belgun dhe “thumboi” gjermanin Tuchel, duke theksuar se sulmuesi nuk po përdoret ashtu si duhet.

“Lukaku është i jashtëzakonshëm dhe po bën shumë mirë, por jam i bindur që niveli i tij mund të përmirësohet shumë më tepër. Ai është një lojtar që mund të jetë i rrezikshëm në çdo pozicion të fushës, madje edhe kur duket se është në hije, por te Chelsea nuk po mësojnë ta përdorin si duhet. 

Një sulmues si Lukaku është i rrezikshëm kur luan në zonë, por më të mirën e tij e jep kur niset nga mesi i fushës, pasi ka cilësi teknike, shpejtësi dhe forcë të konsiderueshme. Për më tepër, është edhe shumë bujar, pasi asiston shumë shpesh për shokët e skuadrës. 

Lojtarë të tillë është shumë e vështirë t’i gjesh, por mund të them se këto karakteristika i shoh te Erling Haaland”, deklaroi Conte.