Komike/ Shoqëria e denoncoi të zhdukur, turku i dehur i bashkohet kërkimeve për gjetjen e tij në pyll

I raportuar i zhdukur nga familjarët, një person i dehur i është bashkuar kërkimit policor, pa kuptuar se ishte ai personi që po kërkohej.

Ngjarja komike ndodhi në Inegol të Turqisë, ku 50-vjeçari Beyhan Mutlu e kuptoi se ai ishte i zhdukuri, vetëm kur dikush thërriti emrin e tij.

Historia filloi kur Mutlu ishte në një klub me miqtë, kur papritmas u zhduk duke shkuar drejt pyllit.

Njerëzit që ishin me të lajmëruan autoritetet pasi ai nuk po kthehej dhe organizuan një ekip kërkimi, të cilit iu bashkuan edhe disa vullnetarë.

Sipas Daily Mail, 50-vjeçari hasi grupin e kërkimit, ndërsa ishte duke u endur në pyll. Ai iu bashkua shpëtimtarëve dhe vullnetarëve, duke kërkuar pa dashje veten e tij për orë të tëra.

Derisa njëri nga të pranishmit bërtiti emrin e tij dhe ai u përgjigj: “Unë jam këtu”. Pas sqarimit të situatës, policia e çoi në shtëpi.