VIDEO- SYRI TV/ Pikëpyetjet e vrasjes së policit, çfarë po heton SHÇBA

Ngjarja e Lezhës ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë Saimir Hoxha mbetet me pikëpyetje të mëdha, ndërsa SHÇBA ka regjistruar hetime penale dhe administrative, ku pritet të sqarojë rrethanat e operacionit anti-kanabis, sjelljen e kolegëve të të ndjerit, por edhe operacionin e arrestimit të 21-vjeçarit

SYRI TV

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave është duke kryer një hetim administrativ dhe penal, por pa regjistrim të emrave konkret në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar në Ishull Lezhë ku mbeti i vrarë efektivi i policisë Saimir Hoxha, vetëm pak minuta pasi kishte asgjësuar një parcelë me disa rrënjë kanabis.

SHÇBA po verifikon planin e masave të policisë vendore për operacionin anti-kanabis, si dhe një verifikim po kryhet edhe për operacionin e policisë për arrestimin e autorit të vrasjes Aldi Rama, 21 vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë nga arma e tij.

Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Lezhës thanë për Syri TV se nga verifikimet e deritanishme nuk është gjetur asnjë lidhje mes të rinjve dhe parcelës së asgjësuar, megjithëse hetimet për të vënë në pranga personat përgjegjës për kultivimin vazhdojnë.

Aldi Rama vrau me dy plumba efektivin e Policisë së Lezhës, Saimir Hoxha, pasi ky i fundit iu afrua duke i kërkuar të zbriste për kontroll.

Hoxha u përcoll të mërkurën për në banesën e fundit si “Dëshmor i kombit”, ndërsa këtë të enjte kolegët vendosën lule në tavolinën e tij të punës.

21-vjeçari me të shkuar të pasur kriminale  nuk ka pranuar të zbres duke hapur zjarr në drejtim të nënkomisarit dhe lënë atë të vdekur. Grupi i asgjësimit të kanabisit është gjetur i papërgatitur për situatën, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit është shpuar një nga gomat e makinës së autorit, i cili e ka braktisur atë 3 kilometra nga vendi i ngjarjes.