Bllokohet investimi gjerman/ Landfilli i Vlorës pa punonjës, 25 mln euro peng të përplasjeve mes socialistëve

Këshilli Bashkiak i Vlorës ka bllokuar nisjen e punës në Landfillin e Vlorës, pas përplasjes mes socialistëve në qytetin jugor.

Investimi  prej 25 milionë euro, i nisur në qershor të vitit 2020,  ka ngecur për kapriço politike të këshilltarëve socialist të cilët në arsyetimin e tyre në mbledhjen e këshillit Bashkiak, vendimin për “bllokim” e kanë quajtur vendim politik.

Sipas procedurës, gjatë mbledhjes së sotme u kërkua diskutimi dhe votimi mbi shtimin e punonjësve të landfillit të Vlorës (pikë kontraktuale e përcaktuar në kontratën e bashkëpunimit mes qeverisë Gjermane dhe Bashkisë së Vlorës) për të nisur kështu funksionimin e landfillit të përpunimit të mbetjeve.

Këshilli Bashkiak i Vlorës, me urdhër politik nuk ka pranuar të hedh në votim këtë çështje, duke përjashtuar këtë pikë të rendit të ditës. Ndërsa nuk është dhënë asnjë sqarim.

Gjatë diskutimit sekretari i mbetur në detyrë Agron Gjipali nuk ka pranuar të diskutohet dhe as të votohet çështja e Landfillit.

Bashkia e Vlorës ka një kontratë me Ministrinë e Financave dhe KVF gjermane për ndërtimin dhe vendosjen në funksion të Landfillit të Vlorës (në disa faza). Më Kontratë paraprake pagat dhe punësimin e punëtorëve të Landfillit i mbulon Bashkia e Vlorës.

Qeveria Gjermane ka kërkuar shtim të numrit të punonjësve në muajin prill me qëllim trajnimin e tyre. Për shkak të pandemisë vendimi për shtimin e punonjësve u shty.

2 javë më parë, Ndërmarrja Publike Bashkiake për Menaxhimin e Mbetjeve Urbane të Bashkisë Vlorë, i ka dërguar projektvendimin plus relacionin këshillit bashkiak dhe sekretarit të Këshillit.

Ndërkohë, në mbledhjen e Kryetarëve të Komisioneve zhvilluar këtë të mërkurë vendosi që në rendin e ditës të vendosej pika 6 “Projekt vendim për një shtesë strukture në shtimin e fuqisë punëtore dhe shtesë fondi në MIM (menaxhimi i integruar i mbetjeve).

Sipas Këshilltarit Grigor Dede (në rolin e kryetarit të grupit të këshilltarëve), vendimi për të mos votuar këtë pikë është politik.

Ajo çfarë penalizon kalimin në Këshill të kësaj pike është vonesa në trajnimin e punonjësve të Landfillit, ndërkohë që parashikimi i KVF Gjermane është që landfilli duhet të nis punën në muajin dhjetor të këtij viti.

Por rreziku më i madh mbetet prishja e kontratës me Bashkinë për mos plotësim të kushteve nga kjo e fundit.