VIDEO/ Hila: Problem i madh mësimi me 4 turne! Situatë e pamundur që fëmijët të arsimohen

I ftuar në Edicionin e Pasdites në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, prindi Aneo Hila ka folur mbi nismën e tyre për të firmosur një peticion online kundër mësimit me turne.

Hila ka parashtuar problemet e shumta që prindërit po përballen prej më shumë se dy vitesh me mësimin online apo mësimin me orare të shkurtuara, ku sipas tyre kanë sjellë regres në jetën e fëmijëve, si në arsim por edhe në aktivitet sociale.

Ferko: Prindërit kërkojnë rikthimin në normalitet të shkollave duke firmosur një peticion në mënyrë që mësimi të fillojë dhe të zhvillohet me kohë të rregullt.

Hila: Nisma është iniciuar nga disa prindër me të njëjtin problem që është mësimit me 4 turne në shkollën Emin Duraku. Njoftova nismën duke ia drejtuar presidentit, kryeministrit, ministrja e arsimit e shëndetësisë, dhe instancat kompetente. Sot i janë bashkuar shumë prindër të tjerë edhe në rrethe. Problemi është shume i përhapur dhe na përfshin të gjithëve. Ne kërkojmë vetëm një gjë, kthimin e orareve me 45 minuta për lëndët jo 20 minuta apo 30 minuta. Fëmijët nuk thithin mësimin për 20 minuta apo nëse i jepet vetëm mësimi pa asnjë hapsirë pushimi, socializmi, siç është planifikuar një shkollë normale. Ndodhemi para një situate të pamundur për fëmijët për tu arsimuar në kushte normale.

Ferko: Si prind i dy fëmijëve keni një situatë problematike të dyfishtë. Me çfarë problematikash hasen prindërit?

Hila: Problematika është e tillë, pasi çdo prind e ka në zemër fëmijën dhe e lavdëron, por përsa i përket djalit tim te shkolla ‘Emin Duraku’, ai ka qënë një nxënës shumë studioz, i edukuar dhe shumë social me mësuesen kujdestare dhe grupin e shoqërisë brenda klasës, por që në pranverë djali dha shenjat e para se ai nuk kishte më interes për mësimin, nuk donte të shkonte në shkollë, i ishte kthyer në formë burgu, ku shkohet për të fituar disa gjëra dhe për të ikur. Me oraret e çuditshme që janë bërë gjatë vitit të kaluar por edhe për këtë vit. Limitohen edhe kureset passhkollore pasi ne fëmijët i angazhojmë edhe në sporte dhe aktivitete muzikore, sipas interesave. Kjo e ka prishur të gjithë sistemin e jetës së përditshme që ne kemi.