YouTube bllokon të gjitha materialet kundër vaksinave

YouTube do të bllokojë të gjitha materialet kundër vaksinave, duke shkuar përtej ndalimit të informacioneve false për vaksinat anti-COVID. Kompania do të bllokojë materialet që përmbajnë dizinformacion edhe për të gjitha vaksinat e tjera të miratuara.

Shembuj të materialeve që nuk do të lejohen në YouTube përfshijnë pretendimet se vaksinat e gripit shkaktojnë shterpësi dhe se vaksinat MMR, të cilat të mbrojnë nga fruthi, parotiti dhe rubeola, mund shkaktojnë autizëm.

Kompania e videove online, e cila është në pronësi të Alphabet Inc, do të bllokoj edhe kanalet e lidhura me disa aktivistë të njohur anti-vaksinë, përfshirë Robert F. Kennedy Jr. e Joseph Mercola, bëri të ditur një zëdhënës i YouTube.

Një deklaratë në sitin e Mercolas thotë: “Ne jemi të bashkuar në gjithë botën, ne nuk do të jetojmë me frikë, ne do të qëndrojmë të bashkuar dhe do ta rifitojmë lirinë”. Kennedy nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Kjo lëvizje vjen teksa YouTube dhe gjigantë të tjerë teknologjikë si Facebook e Twitter janë kritikuar se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar përhapjen e informacioneve false në lidhje me shëndetin në faqet e tyre.

Por ndërsa YouTube po mban qëndrim më të ashpër për dizinformacionin, ai po përballet me kundër-reagim në të gjithë botën. Të martën, kanalet në gjuhën gjermane të televizionit të mbështetur nga shteti rus, RT, u fshinë nga YouTube, teksa kompania tha se ato kishin shkelur politikën për përhapjen e informacionit të gabuar rreth Covid-19.

Rusia deklaroi të mërkurën se kjo lëvizje ishte “agresion i paprecedent kundër informacionit” dhe kërcënoi të bllokonte YouTube.