Shkarkimi i Koeman do t'i kushtojë shtrenjtë Barcelonës

Orët e Ronald Koeman në Barcelonë janë të numëruara. Barça humbi sërish 3-0 mbrëmjen e të mërkurës kundër Benficas, pasi ishte mundur me të njëjtin rezultat nga Bayern Munich. Drejtuesit e Barcelonës zhvilluan një takim deri në 4 të mëngjesit, për të diskutuar mbi të ardhmen e trajnerit holandez.

Mirëpo, ndarja me Koeman do t’i kushtojë shtrenjtë katalanasve.  Sipas “AS” shkarkimi i Koeman do t'i kushtojë Barcelonës 12 milionë euro. Një shumë që drejtuesit e Barcelonës nuk kanë mundësi ta paguajnë. Borxhi i klubitblaugran është 1.325 milionë euro. Një takim tjetër pritet të mbahet në orët e ardhshme.

“Mundo Deportivo” shkruan se Xavi Hernandez, Roberto Martinez dhe Andrea Pirlo shihen si kandidatët e mundshëm për të marrë drejtimin e Barcelonës. Sipas gazetës katalanase, Xavi Hernandez është dëshira e madhe e Presidentit Joan Laporte për momentin.