Atentati në sy të fëmijëve/ Kapet Mitri Prifti, si nisi sherri me Edison Begajn

36-vjeçari Mitri Prifti, i shpallur në kërkim për tentativën e vrasjes së Edison Begajt në maj të këtij viti në fshatin Kaninë, është arrestuar sot. Mitri Prifti është kapur nga Policia e Tiranës për llogari të Vlorës. Prifti është konstatuar nga efektivët duke lëvizur në këmbë në afërsi të stadiumit 'Dinamo'.

Mitri Prifti, me profesion jurist, banues në Tiranë, i maskuar dhe i veshur si polic, qëlloi me armë në drejtim të 41-vjeçarit në sy të fëmijëve. Në hyrje të banesës së tij Begaj u qëllua me 4 plumba dhe mbeti i plagosur. Policia njofton se Mitri Prifti ka tentuar të vrasë me armë zjarri Begajn për motive të dobëta, cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur.

Dyshohet se Prifti e ka plagosur Begajn pas një konflikti që kanë pasur në një lokal në zonën e Lungomares. Ka qenë vetë Begaj ai që ka treguar fillimisht në polici në lidhje me sherrin, i cili është filmuar nga kamerat e lokalit dhe është bërë element kyç në zbardhjen e ngjarjes.

Pas hetimeve policia ka zbuluar se gjatë sherrit Begaj e ka goditur Priftin me shpullë në publik dhe pak ditë më pas ka ardhur "hakmarrja" e tij duke kryer atentatin. Në vendngjarje u gjetën materiale të bollshme dhe prova biologjike.

Dyshohet se Prifti ishte nën efektin e lëndëve narkotike dhe janë rezultatet e ADN që e implikojnë atë në këtë ngjarje. Begaj para se të ndodhte sherri e ka ndihmuar herë pas here Priftin për problemet që ka pasur, mirëpo ende mbetet e paqartë arsyeja e sherrit në lokal.